“Unë ndodhesha në blindën e dytë bashkë me dy kolegë, brenda të cilës kishte paratë e bankës që po i transportonin drejt Rinasit. Dy makina kanë ecur paralel me dy mjetet tona dhe njëra prej makinave, fuoristrada, ka goditur në pjesën ballore blindën e parë ku ndodheshin 2 punonjës, e më pas të dytin. Jam i terrorizuar, pashë lemeri me sy”.
Kjo ka qenë dëshmia e një prej punonjësve të sigurisë, i cili ishte sot pjesë e ngjarjes ku ndodhi grabitja e parave të bankës së nivelit të dytë.
‘News24’ ka arritur të sigurojë dëshminë e një prej 5 punonjësve të sigurisë, të cilët ndodhen në ambientet e Drejtorisë së policisë. Punonjësi i sigurisë ka deklaruar se makina e dytë është futur mes dy blindave, që të siguronte neutralizimin e tyre dhe që mjetet mos të kishin mundësi të lëviznin. Punonjësi ka qenë i terrorizuar nga ajo çfarë ka ndodhur, bashkë me kolegët e tij.
Më pas, 5 autorë dolën nga mjetet dhe qëlluan me armë zjarri për të trembur dhe mjetet e tjera që mos t’i afroheshin vendit të ngjarjes. 5 punonjësit janë traumatizuar nga ngjarja. Madje ata kanë qëlluar dhe kanë thyer xhamat.



