
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zgjedhur drejtuesin e ri të SPAK, Klodian Brahon, me një mandat trevjeçar.
Mbledhja e KLP-së u monitorua nga një numër i madh diplomatësh, mes tyre e ngarkuara me punë e SHBA-ve, ambasadori i Bashkimit Europian, ambasadori britanik dhe përfaqësues nga disa vende europiane.
Për analistin Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, prania e diplomatëve amerikanë kishte një mesazh të qartë, inkurajimin e SPAK që të mos trembet nga krimi dhe korrupsioni.
Gjesti që bëjnë amerikanët është një gjest që flet. Fotot, pamjet, edhe herën e parë ata manifestuan preferencën e tyre dhe e manifestuan sërish. Kemi fakte që mbështetja ndaj SPAK është e njëjtë si më parë.
Kjo mbështetje është e domosdoshme sepse ekziston një perceptim real se, megjithëse SPAK është konsoliduar, është forcuar dhe ka arritur disa rezultate, ai vijon të jetë nën kërcënim të përhershëm.
Ka një përbetim të të korruptuarve dhe të krimit për ta zhbërë SPAK-un, për ta lënë Shqipërinë pa këtë instrument. Ky është instrumenti që ka pozicionin dhe rëndësinë e mbështetjes.
Prania e amerikanëve është një ekspozim për të inkurajuar SPAK që të mos trembet.



