
Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar këtë të martë një konferencë mbi paketën e re ligjore të prokurimit publik.
Sipas kryeministrit kjo paketë është një hap me rëndësi për rritjen e eficencës dhe transparencës së sistemit të prokurimeve në vend.
Gjatë fjalës së tij Rama theksoi se institucioneve përkatëse u janë dërguar rekomandime nga njësia e prokurorimit, duke shtuar se 20 prej tyre nuk kanë reflektuar për këto rekomandime.
Sipas kryeministrit 70% e tenderave të dhënë përgjatë periudhës 2020-2021 janë me probleme, por ajo që për të është një shqetësim më madhor është mosreagimi i institucioneve pas rekomandimeve të Agjensisë së Prokurimeve Publike.
Rama u ka bërë të qartë ministrave se nëse nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre pas rekomandimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike për tendera me probleme, do i çojë në SPAK.
Në një kohë të shkurtër, jo të gjatë, ky shtet të kalojë në një nivel tjetër të nivelit të Prokurimeve Publike, në radhë të parë duke garantuar që çdo institucion funksionon si hallkë, jo si bajrak, dhe duke funksionuar kështu, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikim duhet të jetë 100% i garantuar. Rekomandimet e APP nuk janë as në Bibël e as në Kuran, edhe pse këto përsëri hanë diskutimet e tyre mes besimtarëve, por ama sikur në një rast të vetëm rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhët sa të mos ketë fare përgjigje, a thua se kjo APP mbyll letra në shishe dhe i hedh në det, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK nga kryeministria, pastaj a është i qëllimshëm apo injorancë këtë çështje pastaj hane hetimet. Janë disa objektiva të realizueshëm, që afatet janë të padiskutueshme. Shmangia e kritereve të qepurave me dorë që kufizojnë konkurrencën me paketën ligjore është mundësuar që të adresohet me efikasitet, tërheqjet nga gara, rrotacionet në ofertim, ofertimet fiktive duhen marrë masa që të merren hetime administrative.
Nga ana e tij, kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar përmes një postimi në twitter, lidhur me paketën e re për prokurimet publike prezantuar sot nga kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se qeveria e këtij të fundit e ka zhytur vendin në korrupsion.
Ka 8 vite në pushtet dhe sot më në fund pranoi se qeveria e tij e ka zhytur vendin në korrupsion. Ajo që ai nuk thotë dhe është e qartë për të gjithë shqiptarët është se PESHKU QELBET NGA KOKA!”- shkruan Basha, ndërsa poston një artikull të transparency International sipas të cilit në Shqipëri shteti është i kapur nga korrupsioni dhe ligjet me porosi.



