Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren, Alkelina Gazidede. Trupa gjykuese e përbërë nga Suela Zhegu, Genta Tafa Bungo dhe Firdes Shuli nuk kanë gjetur asnjë shkelje në karrierën e gjuqtares. Kështu, gjyqtarja ka kaluar me sukses të tria kriteret e vlerësimit, atë të pastërtisë së figurës, pasurinë dhe aftësitë profesionale.
Në seancën e fundit dëgjimore, gjyqtares Alkelina Gazidede iu vu në dukje një denoncim që ngrinte dyshime për njëanshmëri në dy vendime të prishura nga Gjykata e Lartë dhe dyshimet për konflikt interesi. Gazidede mohoi akuzat, ndërsa kërkoi edhe konfirmimin në detyrë.
Gazidede e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë në Gjykatën e Tiranës. Ajo u emërua gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit në nëntor 2013. Në janar të këtij viti ajo u përball në seancë dëgjimore me një raport negativ nga Inspektoriati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Konfliktit të Interesit dhe me barrën e provës për disa prej pasurive. KPK vuri në dukje disa mosdeklarime dhe mungesë burimesh. Gjyqtarja pretendoi se mosdeklarimet ishin “gabim njerëzor”, ndërsa kërkoi të merreshin parasysh puna dhe të ardhura që nuk ishin parë nga Komisioni.



