
Shtatë persona kanë humbur jetën si pasojë e mpiksjes së gjakut pasi janë vaksinuar me vaksinën Oxford-AstraZeneca në Mbretërinë e Bashkuar.
Lajmi është konfirmuar për BBC nga rregullatori i ilaçeve.
Në total, 30 persona nga 18 milion të vaksinuar deri më 24 Mars kishin mpiksje gjaku. Ndërkohë ende nuk është e qartë nëse është thjesht rastësi apo një efekt anësor i vërtetë i vaksinës.
Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor thotë se përfitimet vazhdojnë të tejkalojnë çdo rrezik.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave i kanë bërë jehonë këtij përfundimi. Një zëdhënëse e AstraZeneca tha se siguria e pacientit mbetet përparësia më e lartë e kompanisë.
Sidoqoftë, shqetësimi lidhur me mpiksjen e gjakut ka çuar vende si Gjermania, Franca, Holanda dhe Kanadaja të kufizojnë përdorimin e vaksinës dhe ta përdorin atë në një grupmoshë të caktuar.



