Një ligj që prek sistemin e drejtësisë ka shkaktuar polemika të ashpra dhe protesta në Poloni. Partia në pushtet, Ligj dhe Drejtësi (PiS), është përballur me kundërshtime të ashpra pas propozimit të një ligji që i lë asaj hapësirë të punësojë dhe të pushojë nga puna gjykatësit.
PiS argumenton se kjo masë është në funksion të kontrollit në një sistem drejtësie anarkik. Debati nisi pasi ndryshimet në ligj u prezantuan në dhomën e ulët të parlamentit polak.
Nëse kalon në formën që është sot, ligji i ri do t’i lejojë qeverisë të të disiplinojë gjyqtarët që flasin kundër ndryshimeve që partia qeverisëse i bëri gjyqësorit, edhe kur pikëpamjet e një juristi përputhen me ligjin e Bashkimit Evropian dhe Kushtetutën e Polonisë.
Pas një debati të nxehtë të enjten, deputetët e dërguan ligjin në një komitet për rishikim. Zëvendëskryeministri Jaroslaë Goëin tha që puna përfshin heqjen e disa prej pjesëve më të diskutueshme të ligjit.
Debati erdhi pas disa protestash që u mbajtën në qytete të Polonisë. Kritikët e konsiderojnë ligjin e ri shtypës dhe një kërcënim për demokracinë. Shumë njerëz shprehen të frikësuar se duke kundërshtuar ligjin e BE-së, masa në Poloni do të çonte në largimin eventual të vendit nga blloku prej 28 anëtarësh.
PiS, partia populiste që ka qeverisur Poloninë që nga viti 2015, thotë se shumë prej gjyqtarëve të vendit janë bërë shumë të hapur politikisht dhe janë në anën e opozitës politike liberale që kërkon të bllokojë përpjekjet e partisë për të përmbushur mandatin e vet.
Partia e hartoi ligjin pas një vendimi të nëntorit nga gjykata e lartë e BE. Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë u lejon gjykatave polake të përcaktojnë nëse një dhomë e re disiplinore për gjyqtarët brenda Gjykatës Supreme të Polonisë dhe një këshilli të veçantë që emëron gjyqtarët ishin mjaft të pavarur.
Ministri i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, i tha parlamentit se qeveria nuk do të tërhiqej dhe synon t’i "çojë reformat në fund".
Borys Budka, deputete e partisë së qendrës, Platforma Qytetare, akuzoi PiS se po përpiqet të marrë nën kontroll gjykatat për të mbrojtur veten.
"Ju e dini që koha e humbjes suaj po afron kur do të jeni përgjegjës për të gjitha këto skandale para gjykatave polake", tha Budka në seancën ku u diskutua ligji.
"Ju jeni një parti anti-polake, anti-evropiane, sepse ajo që ju jeni duke bërë tani është largimi i Polonisë nga BE," tha Budka. "Është një përpjekje për të prezantuar standardet e (presidentit rus Vladimir) Putin ... Ju dëshironi ndëshkim, ju doni gjyqtarët tuaj, që do t'ju lirojnë më vonë. "



