
Vijon prej 16 ditësh situata e tensionuar në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Deputeti shqiptar në parlamentin Serb, Shaip Kamberi akuzon Serbinë si nxitës i konflikteve në Ballkan.
Serbia është zjarrvënësi në gjithë Ballkanin. Ajo çdo mëngjes ndez zjarre, në mbrëmje i fton të gjithë për t’i shuar zjarret. Brenda një dite luan rolin e zjarrvënësit dhe zjarrfikësit. Pra, një koncept politik që duhet ndërprerë dhe fuqinë për të ndërprerë këtë aventurë të Serbisë, mendoj se e kanë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rrugët që të çojnë drejt pikë-kalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, mbeten të bllokuara për shkak të barrikadave të ngritura nga serbët lokalë.
Që nga fillimi i dhjetorit, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore apo shpërthime të paidentifikuara.
Kamberi pohon se edhe serbët lokalë, e kanë kuptuar se pas këtyre situatave, qëndron Beogradi.
Është pozitive në këtë kaos që po ndodh atje, të shihet fakti se përfundimisht ka serbë lokalë të cilët po flasin me zë hapur për një ndërhyrje të vrazhdë të Beogradit dhe për një mafia politike, e cila po i terrorizon edhe vetë serbët atje. Një mafia politike përmes së cilës po tentohet të destabilizohet Kosova, të destabilizohet rajoni në tërësi.
Me nisjen e trazirave në veri, BE ka ripërsëritur disa herë thirrjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve fqinje.



