Mjekësia ka shënuar një fitore të re në luftën kundër virusit AIDS. Një vogëlushe afrikano-jugore është bërë rasti i tretë i një pacienti që mund sëmundjen e SIDA-s. Vogëlushja ishte infektuar me këtë virus nga nëna gjatë lindjes dhe në javën e nëntë të jetës i është nënshtruar terapisë retrovirale për 10 muaj.
Ndërsa sot 8 vjet e gjysmë pas lindjes, virusi është ende nën kontroll, edhe pse pacientja nuk po trajtohet me medikamente. Nuk mund të thuhet se virusi është zhdukur përfundimitsht, pasi ndryshe nga hepatiti C, virusi HIV futet në sistemin imunitar, duke krijuar vatra ku ilaçet nuk sulmojnë dot. Aktualisht virusi është ende në trupin e vajzës, por në gjendje inaktive, pasi ajo nuk infekton dot njeri tjetër.
Ky rast është paraqitur në Paris në një konferencë vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të SIDA-s.
Aktualisht në botë janë rreth 20 milionë njerëz të infektuar nga kjo sëmundje, që marrin trajtim mjekësor. Edhe pse çmimet e ilaçeve nuk janë aq të larta sa disa vite më parë, fakti që terapia zgjat gjithë jetën rrit kostot dhe ngarkesën mbi sistemin shëndetësor.



