Emilio Çika, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare tha në MCN Live rinumërimi i votave në Tiranë dhe Fier nuk do ndryshojë numrin e mandateve, por mund të ndryshojë situatën sa i takon emrave dhe garës së brendshme në PD dhe PS.
Çika tha se nëse do ketë lëvizje do legjitimohen pretendimet e partive të opozitës, dhe do tregohet se ka pasur problematika në administrimin e votës.
"Do ta shihja në një prizëm më shumë administrative dhe institucional. Shkojnë zgjedhjet 3 muaj. Çelibashi tha se deri në mes të gushtit mund të jemi duke numëruar vota, që do të thotë kemi 3 muaj me një proces zgjedhor që s’merr fund. Prisja që të kishte një rezultat që të ishte më i shpejtë, më i pakontestueshëm.
Është një proces që tejzgjatet e tejzgjatet. Pastaj në aspektin politik, sa do ndikojë ky numërim në Tiranë dhe Fier. Tirana edhe nëse do ketë ndonjë ndryshim, do ketë brenda kampit të djathtë. E shoh edhe si vullnet të brendshëm të PS që situata e kandidatëve të mos ndryshojë. Mandatet e PS nuk ndryshojnë. Ndryshojnë emrat.
Nëse do ketë lëvizje në një farë mënyre legjitimohen ato që janë pretendimet e partive të opozitës, qoftë edhe nëse ndryshimet do jenë brenda PS-së në renditje, që tregon që në një kontekst më të gjerë ka patur problematika në administrimin e votës”.
Çika tha se rinumërimi i votave është përpjekje e PD-së për të ngritur pikëpyetje për legjitimitetin e zgjedhjeve dhe për të shuar zërat kritike për largimin e Berishës. Sipas tij është e vështirë që të ketë një skenar që deligjitimon zgjedhjet ose që ndryshon rezultatin në tavolinë.
“Është e vështirë që të ketë një skenar, një rezultat, për të delegjitimuar zgjedhjet, dhe për të ndryshuar në tavolinë rezultatin zgjedhor. Më shumë e shoh si kauzë të PD-së dhe opozitës në tërësi për të justifikuar humbjen, sepse është një humbje jashtëzakonisht e thellë.
Ka debate të brendshme, diskutime të fuqishme për legjitimitetin e kryetarit të PD, dhe ky proces shtyn në kohë këtë debat. Situata në PD mund të shkojë edhe në pikën e ekzistencës së kësaj force politike. E shoh si përpjekje të PD si për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin zgjedhor dhe për të shuar zërat kritik, për largimin e kreut të PD”.



