
India ka vendosur një rekord të ri botëror për rastet ditore të Covid-19. Bëhet me dije se këtë të enjte në Indi janë regjistruar 375 000 raste të reja në 24 orë, ndërsa vendi parashikon të shtrijë në moshat më të reja vaksinimin.
Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, India ka raportuar më shumë se 18.3 milionë raste të reja me Covid-19, duke u renditur i dyti në botë pas Shteteve të Bashkuara.
Ministria e Shëndetësisë indiane raportoi gjithashtu 3 645 vdekje gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 204 832. Ekspertët besojnë se të dy shifrat e raportuara janë më pak se sa janë realisht.
India ka vendosur një rekord global për raste të reja në 24 orë gjatë shtatë ditëve të fundit.
Duke filluar nga dita e mërkurë, qeveria indiane vuri në dispozicion të qytetarëve një aplikacion ku të rinjtë e moshës 18+ mund të regjistrohen për t’u vaksinuar. Megjithatë, pas kësaj në rrjetet sociale qarkulluan lajme se aplikacioni kishte rënë për shkak të përdorimit të lartë. Pak orë më vonë u njoftua se aplikacioni ishte rregulluar sërish, por tanimë nuk kishte asnjë takim në dispozicion.
Makina e vaksinimit masiv për vendin me afro 1.4 miliardë njerëz filloi në janar dhe është duke vazhduar me ritme të ngadalta.
Gati 10% e njerëzve kanë marrë një dozë, por vetëm rreth 1.5% kanë marrë të dyja dozat e vaksinave. Përpjekja e fundit për të vaksinuar ata midis moshave 18 dhe 44 pritet të shkaktojë debate, pasi një pjesë e shteteve nuk ka arritur të sigurojë mjaftueshëm furnizime me vaksina për moshat më të rrezikuara.
Të mërkurën, ministri i Shëndetësisë në vendin e goditur më rëndë Maharashtra premtoi vaksina falas për atë grup moshë, por sqaroi se shteti nuk kishte stok të mjaftueshëm për të filluar vaksinat të shtunën.
Ndërsa sektori i shëndetësisë po gjendet prag kolapsi, ndihma ka ardhur dhe nga përtej oqeanit.
Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara dërguan të parën nga disa dërgesa mjekësore COVID-19 në Indi. Britania gjithashtu dërgoi një ngarkesë në fillim të kësaj jave ndërsa të tjerët si Franca, Gjermania, Irlanda dhe Australia gjithashtu kanë premtuar ndihmë.



