Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe ka shpallur në kërkim një 41 vjeçar, pasi i vuri tritol para pak ditësh lokalit ‘Brazili i Vjetër’ në Krujë.
Si rezultat i hetimeve të kryera me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të dëmtimit me lëndë plasëse, të fasadës së lokalit të shtetasit Bledar Talit, në Fushë Krujë, kryer në orët e para të mëngjesit të datës 31 janar 2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e dyshuar të rastit, shtetasin M. T., 41 vjeç.
Nga kontrolli në banesën e tij, në fshatin Tapizë, u konstatua se babai i 41-vjeçarit, shtetasi G. T., mbante pa leje, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.
Për shtetasin G. T. nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



