Përfaqësuesit ligjorë të PD-së pretendojnë se Erion Veliaj e ka humbur zyrtarisht mandatin si kryetar i bashkisë së Tiranës, pasi ai rezulton në listë si votues në Durrës.
Gazetari Mariglen Kume në një raportim për MCN Live tha se neni 61 për qeverisjen vendore parashikon se kryetari i bashkisë duhet të jetë banor i bashkisë.
Megjithatë Kume bën me dije se Gjendja Civile dhe KQZ kanë konfirmuar se Veliaj s’ka ndryshuar ende gjendjen civile.
Tashmë pritet që të hapet një debat në lidhje me interpretimin ligjor të këtij rasti.
“Emri i Veliajt rezulton një IEVEP e Durrësit dhe automatikisht ai do votojë në qarkun Durrës. Por kjo referuar nenit 61 për qeverisjen vendore, sanksionohet që kryetari i bashkisë duhet të jetë automatikisht banor i bashkisë. Ligji parashikon se mandati përfundon para afatit në rast se kryetari i bashkisë s’është më banor i qytetit.
Për këtë duhet të mblidhet këshilli bashkiak dhe të shkarkojë z.Veliaj. Ky debat u nxit nga përfaqësuesit ligjor të PD-së Logu dhe Nuri. Nga Gjendja Civile më konfirmuan se Veliaj s’ka ndryshuar ende gjendjen civile, por lista e zgjedhësve në paraburgimin e Durrësit konsiderohet një listë e posaçme.
Kam pyetur edhe nga KQZ dhe më kanë deklaruar se në rastin e Veliajt kanë të bëjnë vetëm me vendosjen e emrit në listë për efekt të zgjedhjeve, por pa ndryshuar gjendjen civile. Do mbetet një debat ky interpretim ligjor. Kam informacion se PD do ta kërkojë interpretimin edhe në KQZ, dhe këshilltarët bashkiakë do ta ngrenë si debat për shkarkimin e Veliajt”.



