
Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese ligjin për rritjen e pagave të magjistratëve, duke kërkuar shfuqizimin e tij.
Padia është bërë nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
Në dokument thuhet se rezulton e provuar se Kuvendi nuk ka miratuar ligj ndryshues për përcaktimin e formulës së pagës së magjistratëve brenda datës 31 korrik 2026 dhe se, për rrjedhojë, formula ligjore që është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese ka humbur fuqinë tranzitore juridike pikërisht në këtë datë.
Në këtë mënyrë rezulton se Gjykata Kushtetuese i njohu Kuvendit një hapësirë normuese për të zgjedhur mënyrën e rregullimit, por jo të drejtën për të mos vepruar. Diskrecioni i Kuvendit ishte, pra, një hapësirë vlerësimi për gjetjen e zgjidhjes kushtetutshmërisht të përshtatshme, jo diskrecion për zbatimin ose moszbatimin e vendimit.
Kjo përforcohet nga dispozitivi, ku në pikën 3 të tij Gjykata Kushtetuese u shpreh se në çdo rast detyrimi i Kuvendit për miratimin e ligjit amendues duhet të realizohet deri në datën 31.07.2026. Shprehja “në çdo rast” e përjashton mundësinë që mosmiratimi i ligjit të shtynte efektet e shfuqizimit përtej datës 31 korrik 2026. Pas kësaj date formula e shfuqizuar nuk mund të vazhdonte të përdorej.
Kujtojmë se pak ditë më parë Kuvendi miratoi formulën e re të pagave, ku parashikohet rritja me 8500 lekë të reja, ose një shumë sa 2% e pagës së Presidentit, ndërkohë që në vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë gjyqësor, parashikohej një rritje rreth nëntë herë më shumë.



