
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, inauguruan Shkollën Kombëtare të Fluturimit, të cilën e cilësuan një hap të rëndësishëm për modernizimin e Forcës Ajrore Shqiptare dhe për përgatitjen e pilotëve e kontrollorëve të fluturimit sipas standardeve të NATO-s.
Gjatë ceremonisë, kryeministri bëri të ditur se Shqipëria ka firmosur një marrëveshje me Izraelin për ofrimin e ekspertizës në këtë sektor.
Lidhur me këtë zhvillim, eksperti i sigurisë Ergys Muzhaqi u shpreh në edicionin e lajmeve në MCN TV se krijimi i një shkolle të tillë është një lajm pozitiv, por mënyra e përzgjedhjes së partnerit duhet të ishte më transparente dhe në përputhje me orientimin euroatlantik të Shqipërisë.
Fillimisht duhet pranuar se ngritja e një shkolle pilotësh është një zhvillim i mirë.
Problemi qëndron te mungesa e transparencës. Pikërisht përmes mungesës së transparencës lindin dyshime se mund të jenë shkelur procedura, norma apo të jenë bërë vendimmarrje të njëanshme.
Një vendim i tillë nuk duhet të merret në mënyrë të mbyllur, por në konsultim me institucionet dhe aktorët përkatës shtetërorë.
Sipas Muzhaqit, nuk është domosdoshmërisht problem bashkëpunimi teknik me Izraelin, por Shqipëria duhet të ketë si prioritet partnerët strategjikë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Nuk po them se çdo marrëveshje me Izraelin duhet parë negativisht. Në aspektin teknik, çdo teknologji e avancuar është e mirëpritur.
Por Shqipëria ka një orientim të qartë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Në çështje kaq të ndjeshme, përparësi duhet t'u jepet partnerëve të Aleancës dhe vendeve të BE-së. Kjo është korniza që duhet të respektojmë.
Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, ka detyrime ndërkombëtare dhe duhet të mbajë në konsideratë edhe aspektet ligjore dhe politike të bashkëpunimeve të tilla.
Problemi është se struktura ushtarake e Izraelit është përballur me akuza në arenën ndërkombëtare dhe në institucione si Kombet e Bashkuara për krime lufte dhe gjenocid në Gaza.
Kjo ngre pikëpyetje nëse është zgjedhja më e përshtatshme që personeli ynë të trajnohet nga këto struktura.
Muzhaqi shtoi se, nga pikëpamja profesionale, Shqipëria ka shumë alternativa brenda Aleancës Atlantike.
Nga aspekti teknik nuk shoh problem, por për një zgjedhje të tillë duhej të ishin respektuar standardet e NATO-s, të Bashkimit Evropian dhe ligjet tona.
Procesi duhej të ishte transparent. Aq më tepër kur vendet anëtare të NATO-s, si Shtetet e Bashkuara, Turqia apo Mbretëria e Bashkuar, kanë ekspertizë të jashtëzakonshme në këtë fushë dhe mund të ofrojnë të njëjtin nivel profesionalizmi.
Një vendimmarrje e tillë nuk duhet të jetë preferenciale apo arbitrare, por e mbështetur në procedura transparente dhe në interesin strategjik të vendit.



