Mashtrimet përmes call centera-ve në Shqipëri po marrin përmasa gjithnjë e më shqetësuese, ndërsa grupet kriminale shqiptare rezultojnë të përfshira në operacione ndërkombëtare që shtrihen nga Spanja në Gjermani, Francë dhe Itali.
Gazetari Ferdinand Dervishi, në MCN TV, deklaroi se aktiviteti i këtyre grupeve është sofistikuar ndjeshëm, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi reagimin e strukturave shtetërore për parandalimin dhe goditjen e këtij fenomeni.
Sipas Dervishit, fakti që në muajt e fundit janë publikuar vazhdimisht lajme për operacione të mëdha kundër mashtrimeve online, ku Shqipëria rezulton pjesë e rrjeteve kriminale, tregon se ky aktivitet është konsoliduar në vend dhe se pas tij qëndrojnë grupe me mbështetje financiare dhe lidhje kriminale.
Muajt e fundit po ndodh nga një lajm i përmasave të tilla që lidhet me mashtrimet e call centerave dhe që tregon se në Shqipëri grupe kriminale kanë pasur mundësi, u është liruar terreni për të zhvilluar këto aktivitete. U kuptua se Shqipëria është pjesë e operacioneve të mashtrimit nga Spanja në Gjermani, Francë, Itali e kështu me radhë. Ky lloj krimi në Shqipëri është i pranishëm, i sofistikuar dhe nuk është se ka një lloj shtytjeje nga strukturat e shtetit për ta minimizuar. Përderisa kemi pothuajse çdo muaj kapjen e një grupi të madh nga autoritetet jashtë Shqipërisë dhe jo brenda vendit, e njëjta gjë ndodh edhe me këtë grup të goditur.
Ai përmendi si element të rëndësishëm zbulimin e një kompanie me bazë në Qipro dhe Izrael, e cila furnizonte grupin me faqe interneti dhe mjete të tjera të nevojshme për mashtrimin e viktimave.
Krimi i organizuar mund ta bëjë këtë, jo njerëz të thjeshtë. E bëjnë njerëz që kanë mbështetje financiare dhe lidhje kriminale. Përshtypje të bën fakti që për herë të parë e shoh të cilësuar këtu se është zbuluar një kompani me bazë në Qipro dhe Izrael, që furnizonte me faqe interneti. Pra, logjistika është shumë e rëndësishme. Serverat mund të mos jenë në Shqipëri, por këtu janë call centerat, këtu është elementi njerëzor. Duke qenë se jam marrë me këtë pjesë dhe e ndjek, është e kushtëzuar dhe mashtruesi të zgjedh ty. Në rreshtin e shumë njerëzve të pikas ty, nuk e zgjedh ti mashtruesin. Në rastin e call centerave është mashtrim përmes audios. Më e bukura ishte se këtu një grup mashtruesish ofronin asistencë për të marrë një shumë parash, pasi ishin mashtruar nga kompani të tjera mashtruese. Kjo ishte kulmi.
Duke u ndalur te përmasat financiare të operacionit ndërkombëtar, Dervishi tha se grupi i ndjekur nga autoritetet gjermane dyshohet se kishte përfituar rreth 4 milionë euro, një shumë që, sipas tij, dëshmon kapacitetin ekonomik të këtyre rrjeteve kriminale.
Flasim për një krim ndërkombëtar dhe ky grup, i ndjekur nga një grup gjerman, ishte në nivelin e 4 milionë eurove dhe nuk është pak. Shqiptarët, sigurisht, shkojnë atje ku shkojnë të gjitha paratë e krimit të organizuar. Shkojnë te gradacelat, te bregdeti, te fshatrat turistikë. Këtu shkojnë këto para, aty ku shkojnë të gjitha paratë e krimit të organizuar. Në Shqipëri e kemi thënë se sasitë më të mëdha të fitimit të parave, të korrupsionit dhe të krimit të organizuar gjenerohen në katër fusha. E para është buxheti i shtetit, e dyta është droga, pastaj janë bastet e paligjshme, ku lidhet një mijë për qind politika dhe policia, dhe së fundmi kemi edhe fuqizimin e call centerave, ku bëhen fitimet më të mëdha. Kjo e fundit është krimi më i sofistikuar për të mashtruar. Pra, këto janë ato që bëjnë më shumë para në Shqipëri.
