Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim me banorët e Vaqarrit, në kuadër të dëgjesave publike që PS-ja po zhvillon pas zgjedhjeve që i dhanë një mandat të dytë qeverisës. Rama tha se takime të tilla në të gjitha qarqet e vendit do të bëjnë të mundur përgatitjen e një plani për bashkëqeverisje me qytetarët e thjeshtë. Rama e vuri theksin te mirëfunksionimi i administratës dhe lufta kundër korrupsionit në zyrat e shtetit.
“Këto dëgjesa janë të rëndësishme për të përcaktuar së bashku prioritetet kryesore. Kam besim që nëse arrijmë bashkë të thyejmë pengesën e mosbesimit, sikletit që vjen nga mosbesimi që kanë njerëzit e zakonshëm kur duhet të përballen me dilemën a t’i jap një rryshfet këtij zotërisë dhe të mbaroj punë apo të kërkoj më lart që ajo që më takon të më jepet pa paguar rryshfet. Kjo dilemë për fat të keq në 99 për qind të rasteve shkon në favor të rryshfetit. Ata kanë frikë se duke ngritur zërin nuk kanë për ta marrë kurrë atë që ju takon dhe sikletin se “çfarë po bëj, po spiunoj?”. Nëse analizojmë shkaqet për këtë, ato vijnë nga mënyra si është qeverisur dhe si janë sjellë institucionet në raport me qytetarët. Si pjesë e bashkëqeverisjes, disa individë nuk i kanë shërbyer me dinjitet qytetarit. Nuk mund të lëmë asnjë ditë të këtij mandati të na ikë pa bërë një hap pozitiv”, tha ai.



