
Një virus i lashtë po i infekton banorët e territoreve veriore të Australisë, duke shkaktuar të vdekur dhe duke i detyruar mjekët të bëjnë përpjekje më të mëdha për të ndaluar përhapjen e infeksionit. Virusi i njohur si Leucemia T-cell tip 1, ose HTLV-1, ka arritur shkallën e përhapjes 40% në të rriturit që banojnë në zonat e Australisë qendore. Më të prekurit janë komunitetet indigjene, sidomos ata që banojnë në Alice Springs.
Ky virus mund të shkaktojë sëmundje akoma më të rënda si leukemia dhe limfoma. Virusi ësht zbuluar për herë të parë në vitin 1979. Por që atëherë pothuajse asgjë nuk është bërë për ta parandaluar përhapjen e këtij virusi.
HTVL-1 është një virus i vjetër, AND-ja e të cilit mund të gjendet në mumjet 1500-vjeçare të gjetura në Ande. Virusi përhapet nga nëna te fëmija, kryesisht përmes gjidhënies; nga njëri partner te tjetri në rrugë seksuale; dhe nëpërmjet kontaktit me gjakun, si p.sh transfuzionet. Për shkak të transmetimit përmes rrugëve seksuale, ky virus konsiderohet edhe si infeksion seksualisht i transmetueshëm.
Virusi në fjalë lidhet me një sërë problemesh serioze shëndetësore, të tilla si sëmundjet e sistemit nervor dhe dëmtimi i mushkërive i quajtur bronkitektasi, dhe dobësimi i sistemit imunitar. HTLV-1 shihet shpesh si një sëmundje e familjes së HIV-it.
Ky virus mund të haset në disa vende të botës, por në Australinë qendrore shkalla e infektimit ka arritur përmasa endemike. Zona të tjera ku ka të prekur nga ky virus janë jugperëndimi i Japonisë, disa zona në Karaibe, në Amerikën e Jugut, ku përfshihen pjesë të Brazilit, Perusë, Kolumbisë dhe Guajanës Franceze, zona në Afrikën tropikale si jugu i Gabonit, zona në Lindjen e Mesme si Mashhadi në Iran, një zonë në Rumani etj.



