Kryebashkiaku i Mirditës, Albert Mëlyshi deklaron se bashkitë e djathta kanë të ardhura minimale dhe qeveria nuk i financon projektet e tyre.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se pas refuzimit apo mos miratimit të projekteve, nuk jepen shpjegime.
Sipas tij, me mbledhjen e të ardhurave nga Mirdita që shkojnë në arkën e shtetit, duhet të kishte më shumë investime nga ana e qeverisë.
Kjo është një plagë e kahershme e bashkive, të cilat kanë qenë në opozitë me pushtetin. Ideja ka qenë të jemi bashkëpunues, për të gjitha shqetësimet e mirditorëve dhe bashkive të djathta. Nëse flas për projekte që janë bërë në koherencë me qeverinë, ashtu si programet qeverisëse kërkojnë ndërhyrjen e qeverive, ne kemi pasur qoftë projekte të reja dhe të rishikuara.
Projektet janë të të gjitha fushave aty ku preken projekte qoftë infrastrukturore dhe ato të bujqësisë, projekte të shkollave për restaurim, emergjencat civile etj. Kemi pasur kontakte me Kryeministrin, por nuk jemi financuar. Në kontaktet e para me ministritë, janë shprehur të gatshme për të mbështetur bashkitë, teorikisht, por në atë që është e nevojshme në financim, duket e vështirë dhe e pamundur.
Është pikërisht qasja që ka qeveria ndaj bashkive të djathta. Pas refuzimit apo mos miratimit të projekteve, nuk na japin shpjegime. Në këto problematika janë dhe bashkitë e tjera të djathta, mund të kenë investime minimaliste dhe aspak të denja, por janë në të njëjtat nivele të financimit të bashkive si Mirdita, si Puka, Fushë Arrëzi apo Memaliaj që janë bashki me të ardhura shumë të ulëta dhe varen nga granti i qeverisë dhe normalisht këto bashki nuk mund të financojnë projekte madhore se janë të varura nga buxheti i shtetit.
Sa i takon rentës minerare, ku pretendohet se Mirdita i jep 50 milionë euro nga kjo taksë qeverisë por nuk merr asgjë mbrapsht, Mëlushi tha se nuk ka vëmendje për të investuar mbrapsht nga ajo që merret nga renta minerare.
Edhe në fushën që ka më shumë të ardhura që mbledh qeveria, në Mirditë nuk investohet në atë fushë. Me mbledhjen e të ardhurave nga Mirdita që shkojnë në arkën e shtetit, duhet të kishte më shumë investime nga qeveria.
Nëse në Mirditë ka miniera dhe gurore, që janë lëndë që merren nga Mirdita, ka një mosfunksionim siç duhet të marrjes së rentës minerare për ta kthyer në burim dhe një kontroll jo të saktë të qeverisë ndaj këtyre kompanive që veprojnë në territor, çka bën që dhe renta minerare të jetë më e ulët në territor.
Lidhur me Paketën r Maleve, ai deklaroi se ka ngelur në vend për shkak të burokracive, edhe pse bashkitë i dorëzojnë dokumentacionin qeverisë.
Mund të ketë qasje në bashki të tjera, me interes më të lartë zhvillimi që kanë malin dhe detin afër për të favorizuar oligarkët. Në Mirditë po bashkëpunohet me vetë banorët, që kanë shprehur interesin e tyre për të investuar.



