
Në raftet e marketeve jo rrallë gjejmë të ekspozuara produkte ushqimore që jo vetëm janë në limitet e përfundimit të datës së skadencës, por edhe që kanë një ditë përtej afatit. Eksperti i sigurisë ushqimore, Kapllan Sulaj, tha se rreziku më i madh për konsumatorin në raste të tilla vjen nga produktet me origjinë shtazore.
Nëpër markete apo dyqane mund të ketë produkte të pasigurta. Ne hasim edhe falsifikimin e datës së skandecës. Kjo ndodh shpesh në industrinë e produkteve ushqimore.
Rreziku më i madh vjen nga produktet me origjinë shtazore. Në një produkt që ka kaluar afatin e skadencës, rreziku është më i lartë.
Sipas Sulajt, terreni i përshtatshëm për falsifikim është në magazinat me mall stok, të cilat përmes modifikimit të etiketave e bëjnë atë fiktivisht të sigurt dhe e hedhin në treg. Në këto kushte, sipas tij, është detyrë e AKU-së të ushtrojë kontrolle rigoroze për të shmangur dëmet te konsumatorët.
Fluksi i tregtisë së ushqimeve në raport me inspektorët e AKU është shumë i madh. Por kjo nuk e pengon të kryejë inspektime. Duhet treguar kujdes në magazinat stok. Falsifikimi nuk ndodh në vitrinë, por në magazinë. Pas mbarimit të afatit të skadencës, produkti fillon procesin e dekompozimit. Nga ana vizive mund të mos dallohet, por një inspektor i kualifikuar mund ta verifikojë lehtë. Nëpër magazina ka pajisje që fshijnë me lazer datën e skadencës dhe vënë një tjetër.
Duhet shtuar kujdesi, prandaj AKU duhet të shtojë kujdesin. Duhet treguar kujdes maksimal edhe për produktet e importit



