Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka konfirmuar dje se është gjetur tashmë gjuha e përbashkët me Fondin Monetar Ndërkombëtar për amnistinë fiskale.
Zbatimi i saj parashikon faljen e detyrimeve të vjetra doganore dhe tatimore të biznesit, për periudhën deri në dhjetor 2010. Kurse për vitet 2011 deri në 2014, falja do të bëhet sipas një skeme, që parashikon faljen e penaliteteve apo interesave.
Deklaratat e Ahmetajt u bënë pas punimeve të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, ku u diskutua buxheti faktik 2015.
Sipas Ministrisë së Financave, buxheti i këtij viti ka siguruar rritjen e qëndrueshme të ekonomisë, ndërsa opozita akuzoi se kjo rritje është vetëm në letër dhe se borxhi publik ka arritur në nivele shumë të larta. FMN kishte deklaruar pak kohë më parë se po ndihmonte ministrinë e Financave për përmirësimin e draftit për faljen fiskale dhe pritej që të arrihej në një konsensus.



