
Izraeli dhe SHBA-të janë parë si modeli më i mirë i vaksinimit deri tani. Megjithatë, vendi që ia ka dalë ta shtrijë këtë fushatë te i gjithë populli i tij është Butani.
Nëse Izraelit, SHBA-ve dhe Bahreinit u janë dashur muaj për të arritur atje ku janë, historia e fushatës së vaksinimit të Butanit është drejt mbylljes vetëm 16 ditë pasi ka nisur.
Mbretëria e vogël në Himalaja, e vendosur midis Indisë dhe Kinës, ka vaksinuar gati 93% të popullsisë së saj të rritur që nga 27 marsi. Në total, vendi ka vaksinuar 62% të 800 000 njerëzve të tij.
Përhapja e shpejtë e vaksinave e vë vendin e vogël në listë menjëherë pas Seychelles, e cila ka vaksinuar deri tani 66% të popullsisë së saj prej gati 100 000 banorësh.
Numri i vogël i popullsisë e ndihmoi Butanin të përparonte shpejt, por suksesi u atribuohet edhe vullnetarëve të tij të përkushtuar.
Butani mori 150 000 dozat e para të vaksinës AstraZeneca nga India fqinje në janar, por dozat u shpërndanë në fund të marsit, për të përkuar me data të mbara sipas astrologjisë budiste.
Doza e parë u administrua nga dhe iu dha një gruaje të lindur në Vitin e Majmunit, shoqëruar me brohoritje lutjesh budiste.
Dr. Pandup Tshering, sekretar në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se vendi ka doza të mjaftueshme për të mbuluar të gjithë popullsinë e tij.
Butani ka regjistruar deri më tani 910 infeksione me koronavirus dhe një vdekje nga COVID-19. Ka një karantinë të detyrueshme 21-ditore për të gjithë njerëzit që mbërrijnë në vend. Të gjitha shkollat dhe institucionet arsimore janë të hapura dhe monitorohen për pajtueshmëri me protokollet COVID-19.
Butani është mbretëria e fundit budiste e mbetur në Himalaje. Por vendi ka kaluar nga monarki absolute në një monarki demokratike, kushtetuese. / Associated Press/



