Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, për abuzimin nga ana e mjekëve me pacientët e onkologjikut, nxit organet e drejtësisë që të nxjerrin të vërtetën dhe të shohin sa janë reale elementët që ngrihen dhe tërësia e problemeve për këtë rast.
Në Shqipëri është e vërtetë ka një kontrabandë ilaçesh, ardhje ilaçesh në mënyrë të parregullt.
Kjo ka shkaqe, stimuluesi kryesor është shteti shqiptar, i cili me strukturat e tij e mbush tregun shqiptar me produkte të pasigurta.
Shkaku kryesor janë politikat farmaceutike që janë ndjekur në Shqipëri ndër vite.
Kjo lidhet me importin dhe prodhimin vendas i cili nuk është incentivuar për të marrë certifikimin e EMA-s për prodhimin që ka.
Ne kemi një situatë tragjike medikamentoze e cila përveç mungesës së medikamenteve, përqindjes shumë të vogël të rimbursimit, bën që tregu shqiptar të mbushte me produkte me origjinë të pasigurtë, kjo krijon një situatë anormale.
Problemi është pse stimulohen në Shqipëri ardhjet ilegale të medikamenteve, pse medikamentet onkologjike mungojnë në Shqipëri, duke stimuluar ardhjen nën tavolinë.
Nëse dikush është fajtor ligji vepron mbi të, hetimet veprojnë dhe pa diskutim secili do dënohet, është mjek, është mësues.
Padyshim detyra e mjekut është një detyrë mbi detyrat, por të gjithë në fund të fundit duhet të përgjigjen para ligjet për shkeljet që bëjnë, për hapjen e rrugës së medikamenteve të pasigurta në Shqipëri, për korrupsion.
Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV, Shehu deklaroi se mungojnë hallkat shtetërore të kontrollit, për të mos thënë se ka lidhje të dyshimta të strukturave shtetërore që devijojnë individët.

Flasim për nivel të lartë korrupsioni të mungesës së kontrollit, mungesës së auditimit, kjo del shumë larg suazës së atyre dy mjekëve që janë përfshirë në këtë çështje.
Kjo tregon për anarkinë e plotë në sistemin shëndetësor shqiptar. Është roli i shtetit që e ka mbushur vendin me medikamente me origjinë të pasigurt.
Në Shqipëri bëhet krim i madh duke e mbushur Shqipërinë me medikamente me origjinë të pasigurt.
Unë kam besim të plotë te mjekët, janë njerëz të nderuar, kemi mjekë të shkëlqyet që punojnë ditë e natë, por padyshim ka dhe njerëz keqbërës që shkelin ligjin, prandaj janë elementët e kontrollit dhe standardeve.
Padyshim që mjekët përgjegjës duhet të dënohen, por dënimin më të madh duhet ta marrë shteti që ka shkatërruar mbrojtjen medikamentoze në Shqipëri.
Është një dëm që prek të gjithë shoqërinë shqiptare.



