
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e ka cilësuar si të papranueshme kërkesën e Ramush Haradinajt, lidhur me atë se a kishte të drejtë të thërriste takime të Qeverisë edhe përkundër faktit që kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme, shkruan Gazeta Express.
Në vendim të Gjykatës thuhet se çështjet e ngritura nga Haradinaj nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese.
Ky vendim i Kushtetueses për kërkesën e Haradinajt vjen në kohën kur tashmë Kosova nuk ka as Kuvend dhe kur zgjedhjet e parakohshme janë caktuar të mbahen më 6 tetor.
Vendimi i plotë:
"Objekt i çështjes së kërkesës ishte interpretimi i aktit të dorëheqjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe definimi i kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë, pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit. Kërkesa bazohej në paragrafin 10 të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], në lidhje me nenin 113 [Jurisdiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. – Gjykata konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e jurisdiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, Gjykata njëzëri vendosi: TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme”.
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e shpalli të papranueshme kërkesën e tij, me të cilën kishte kërkuar definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë, pas dhënies së dorëheqjes së Kryeministrit.
“Do t’i analizojmë të gjeturat e vendimit sepse ende nuk i kam pa. Nuk e kam lexuar ende vendimin, nuk kërkojmë kompetenca as unë as Qeveria në dorëheqje, kemi kërkuar zgjedhje, që mandati t’i kthehet sovranit dhe të bëhen zgjedhjet në vend. Që Kosova të mos mbesë në vakum qeverisës. Për këtë arsye i jam drejtuar Kushtetueses, jo për hatër timin. Kam kërkuar që mandati t’i kthehet sovranit në momentin e dorëheqjes, ashtu po ndodhë. Kam dhënë dorëheqje në bazë të Kushtetutës dhe Ligjeve, por s’mund ta lë vendin në vakum sepse bëj vepër penale”, ka thënë Haradinaj i pyetur nga gazetarët.
Më 26 korrik, Haradinaj i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për definim të kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë, pas dorëheqjes së parevokueshme që kishte dhënë më 19 korrik.



