Kryeministri Edi Rama tha sot përmes një deklarate në media se do të kemi një transformim të Policisë së Shtetit rezultatet e së cilës do t’i presim në fund të shtatorit, kur të jetë formuar edhe qeveria e re.
Këtë deklaratë të kryeministrit reporterja Anduena Llabani e cilësoi si politike duke u bazuar në faktin që krah Ramës nuk ishte asnjë ekspert i lartë i policisë që njeh mirë rregullat. Sipas Llabanit POlicia e Shtetit i ka kaluar të gjitha termat e një policie normale për shkak se është keqpaguar, e keqtrajtuar, pa veshje për të patrulluar dhe që bëhet shembull me gjënë e parë që mund të kapen.
Lidhur me afatin 100 ditor për reformimin e policisë Llabani tha se është i pamjaftueshëm pasi “policia është bërë njësh me krimin”.
Intervista:
Anduena, kryeministri tregoi sot se nuk ka më besimin te policia. Çfarë ka ndodhur që zoti Rama u shfaq sot shumë kritik ndaj trupës së policisë? Jo shumë larg ai e ka quajtur policinë organizatën më të besueshme për shqiptarët?
Llabani: Fjala e kryeministrit do të mbetet gjithnjë politike. E shikoj kështu për sa kohë që në krah të tij nuk kemi një ekspert të fushës, një drejtues të lartë policie, i cili më mirë se kushdo njeh kodin penal dhe rregullat e policisë apo veprimtarinë e policisë. Ka kohë që nuk shikojmë një drejtues të lartë të policisë që të dalë të flasë për ngjarjet rënda, aksidente vrasje apo cënimin e sigurisë publike. Unë di që prioriteti i policisë është siguria publike, aq më tepër 3 mujorshi pushimesh. E shoh si mea culpa fjalimin e kryeministrit edhe pse kishte zgjidhur një fjalor shumë të ashpër dhe deri diku edhe me tone cinike të cilat nuk i shkojnë për shtat policisë shqiptare. Policia mua sot më duket e drobitur. I ka kaluar të gjitha termat e një policie normale, përsa kohë kemi policë të keqpaguar, të keqtrajtuar, policë që nuk kanë veshjet minimale për të patrulluar, policë që bëhen shembull me gjënë e parë që mund të kapen. Mua më duket fushatë elektorale sepse policisë nuk mund ti vendosësh afat për 100 ditë edhe pse teknikisht kryeministri është në rregull me termin që përdor, pasi puna mund të vlerësohet në 100 ditë për çdokënd nga ne por në rastin konkret është thjeshtë një shkundje e dytë që i bëhet policisë.
Vetëm para pak ditës kryeministri u pyet për kreun e Policisë Ardi Veliun. Po ky i fundit e ka besimin e zotit Rama, në çdo rast që një institucion ka probleme është titullari që merr përgjegjësinë.
Llabani: Ne nuk kemi një deklaratë të drejtorit Veliu qoftë për mediat, qoftë për kërkesat tona të njëpasnjëshme për një zë nga policia e shtetit. Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme janë kthyer në organe të centralizuara ku nuk mund të hysh dhe të marrësh informacion për pushtetin e katërt që është media. Ardi Veliu e njeh shumë mirë policinë dhe kryesisht trafikun e drogave dhe është njeriu më i besuar i Ramës për shkak se është ai që vendos pikat mbi i për ata që punojnë në kupolën e policisë. Veliu nuk mund ta bëjë i vetëm punën e tij, por njerëzit më të mirë dhe më të mirëinformuar përsa i përket policisë janë profesorë në akademinë e policisë dhe janë hequr nga drejtimi i institucioneve duke krijuar mangësi në punonjësit e aftë të Policisë së Shtetit.
Reformimi i policisë është përfolur qëkurse u emërua ministër i Brendshëm Sajmir Tahiri. Kujtoj zoti Rama atëherë ka thënë se trupa e policisë është e tradhëtuar nga brenda. Kush u quajt reformë dhe çfarë ka ndryshuar që prej asaj kohen në polici?
Llabani: Ndryshimi më i madh është që policia është bërë njësh me krimin. Kjo është evidente, shohim persona të cilët kapen me precedent penalë bashkë me policinë e shtetit. Kryeministri tha kam besim te policia për herë të parë që kur Tahiri ishte ministër i Brendshëm, që prej asaj kohe nuk ka pasur një deklaratë të qartë kur kryeministri mbështet hapur persona të caktuar për punën e tyre. Mua mu duk i pezmatuar Rama sot në fjalimin e tij duke thënë se policia duhet të jenë më aktive dhe nga ana tjetër vijnë operacione të mëdha me grupe kriminale. Kjo tregon se policia është aktive. Policia mbase nuk është efiçente dhe arsyet janë mungesa e anës financiare.
Sot zoti Rama tregoi me gisht policinë, nga ana tjetër policia tregon me gisht gjykatat dhe prokurorinë. Po krijohet ideje që gjithsekush kërkon të heqë përgjegjësinë nga vetja?
Llabani: Shkeljet janë aty dhe shigjetat që hidhen janë mediatike dhe për të hequr erën e keqe të veprimeve të njerëzve të pushtetit vendor apo institucioneve të tjera. Mendoj se 100 ditë janë pak për policinë e shtetit. Aq kohë sa është dashur për ta vendosur atë rend të mbrapshtë aq do të duhet edhe për ta rregulluar, por ne do të jemi këtu për të raportuar dhe do të jetë një strapacim për policinë e shtetit dhe kam frikë se do të digjet edhe i njomi me të thatin.



