Një 25-vjeçar nga Nevada u prek nga Covid-19 dy herë brenda pak muajsh, dhe herën e dytë me simptoma më të rënda. Rasti u bë objekt studimi dhe një artikull në revistën shkencore “Lancet” ngre pikëpyetje në lidhje me imunitetin e të shëruarve, edhe pse rastet e infeksionit të përsëritur mbeten të rralla. 25-vjeçari amerikan, i cili nuk kishte ndonjë problem shëndetësor të njohur ose defekte imune që e bënin atë veçanërisht të prekshëm nga Covid, shfaqi simptomat e para, jo shumë serioze, më 25 mars: dhimbje fyti, kollë, dhimbje koke, të përziera dhe diarre. Më 18 prill, ai rezultoi pozitiv për herë të parë.
Më 27 prill, ai nuk kishte më simptoma dhe në të dy testet e kryera më 9 dhe 26 maj ishte negativ. Sidoqoftë, simptomat u shfaqën përsëri në 28 maj. Më 5 qershor, ai ishte përsëri pozitiv me simptoma të rënda të frymëmarrjes, që ia bënin të detyrueshëm shtrimin në spital. Shkencëtarët thonë se nuk mund të ketë qenë përsëritje e infeksionit të parë: një krahasim i kodeve gjenetike të viruseve të analizuara në dy rastet tregoi se ato ishin shumë të ndryshme për të pasur origjinë të njëjtin infeksion.
"Rezultatet tona tregojnë se infektimi njëherë nga Covid nuk mund të të mbrojë domosdoshmërisht nga infeksionet në të ardhmen", tha dr. Mark Pandori, nga Universiteti i Nevadas. Infeksione të dyfishta kanë ndodhur në Hong-Kong, Belgjikë dhe Holandë, por hera e dytë nuk ka qenë kurrë më serioze.
"Është herët të thuhet me siguri se cilat janë pasojat e këtyre rezultateve për çdo program të imunizimit", tha një tjetër mjek i përfshirë në kërkim. Por ata konfirmojnë faktin se ne ende nuk dimë sa duhet për përgjigjen imune ndaj këtij virusi.



