Një 12-vjeçar gjermano-irakian ka tentuar të shpërthejë një bombë me gozhda në tregun e Krishtlindjeve në Ludwigshafen, në jugperëndim të Gjermanisë.
Ngjarja ka ndodhur më 26 nëntor, por detajet janë bërë të ditura në media vetëm ditët e fundit. Masakra e planifikuar nga djaloshi nuk është realizuar për shkak të një defekti në mekanizmin shpërthyes. Lajmi është publikuar në të përjavshmen “Focus”, bën të ditur agjencia DPA.
12-vjeçari raportohet se ishte thellësisht i radikalizuar dhe me shumë gjasa i instruktuar nga ndonjë militant i ISIS-it.
Prokuroria e Përgjithshme e Karlsruhes po heton lidhur me akuzën “akte terrorizmi”. “Focus” shkruan se disa muaj më parë, 12-vjeçari kishte tentuar të largohej drejt Sirisë, për t’iu bashkuar xhihadistëve të ISIS-it, por është kapur dhe është dërguar në një qendër për të rinjtë.



