Gazetari Andi Tela ka komentuar zhvillimet rreth protestës qytetare, duke e cilësuar atë si një lëvizje të gjerë shoqërore që, sipas tij, përfaqëson pakënaqësinë e akumuluar të qytetarëve ndaj klasës politike ndër vite.
I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Tela u shpreh se protesta ka një karakter gjithëpërfshirës dhe se forca e saj qëndron pikërisht te mungesa e një drejtimi të centralizuar.
Kjo protestë ka gjithë ngjyrat dhe të gjitha llojet e përfaqësimit të njerëzve. Ditët e para të protestës, të gjithë ngrinin pyetjen nëse duhej të kishte një përfaqësim apo nëse duhej të krijohej një parti që t'i kundërvihej pushtetit. Por e gjithë kërkesa e tyre është kundër elitës politike dhe, mbi të gjitha, kundër qeverisë dhe kryeministrit. Njerëzit dolën me shumicë, sepse hallet e tyre nuk janë zgjidhur prej tridhjetë e gjashtë vitesh dhe panë te protesta një mundësi për të folur lirshëm, për të treguar historitë dhe problemet e tyre.
Sipas Telës, arsyeja kryesore pse qytetarët iu bashkuan protestës lidhet me humbjen e besimit te përfaqësimi politik.
Jemi këtu tani, sepse jemi kthyer shumë mbrapa. Njerëzit dolën atje sepse u është vjedhur përfaqësimi gjatë këtyre tridhjetë e gjashtë viteve. U është vjedhur besimi. Pikërisht për këtë arsye ata janë në dilemë nëse duhet të krijohet një grup i ri apo një kuvend. Protesta është e bukur, sepse nuk ka një grup të vetëm, nuk ka një përfaqësues, organizator apo drejtues të vetëm.
Ai ndaloi edhe te diskutimet e fundit për krijimin e një strukture përfaqësuese të protestës, duke ngritur pikëpyetje mbi legjitimitetin e grupeve që pretendojnë të flasin në emër të protestuesve.
Zoti Kulluri tha se kishte hedhur idenë për të bërë një kuvend. Kur thua 'unë kam hedhur idenë', bëhesh protagonist. Ndërsa zoti Shkurti tha se 'jemi një grup njerëzish'. Po kush janë këta njerëz? Si u zgjodhën? Si u mblodhën? Këtë po e shtroj si problem. Si u mblodhët në një hotel dhe vendosët në emër të të tjerëve? Kjo është kontradikta.



