Këshilli Bashkiak i Mariupolit deklaron se teatri i qytetit ukrainas ku thuhet se janë strehuar mbi një mijë persona, ra pre e bombardimeve ruse gjatë së mërkurës.
Këshilli i qytetit me anë të një deklarate në Telegram, tha se forcat ruse kishin shkatërruar në mënyrë të qëllimshme Teatrin e Dramës në zemër të Mariupolit.
Avioni hodhi një bombë në një ndërtesë ku ishin fshehur qindra banorë paqësorë të Mariupolit. Është ende e pamundur të vlerësohen përmasat e këtij akti të tmerrshëm dhe çnjerëzor, sepse qyteti vazhdon të bombardohet në zonat e banuara. Pas bombardimeve u shkatërrua pjesa qendrore e Teatrit të Dramës, dhe hyrja në strehën e ndërtesës.
Sa i takon numrit të viktimave, nuk ka ende konfirmim, thotë Këshilli Bashkiak i Mariupolit, raporton CNN.
Është e pamundur të gjesh fjalë që mund të përshkruajnë nivelin e mizorisë dhe cinizmit me të cilin pushtuesit rusë po shkatërrojnë popullsinë civile të qytetit ukrainas buzë detit. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit janë në shënjestrën e armikut. Janë njerëz krejtësisht paqësorë dhe të paarmatosur. Ne kurrë nuk do të falim dhe nuk do të harrojmë.



