Komisioni Europian ka zyrtarizuar “Rishikimet e Politikave përpara Zgjerimit”, dokument që përcakton reformat dhe mekanizmat që do të shoqërojnë zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit Europian.
Përmes një reagimi Kryeministria njofton se Shqipëria është konfirmuar si një ndër vendet udhëheqëse në procesin e integrimit dhe parashikon një udhërrëfyes specifik për anëtarësimin e vendit në Paketën e Zgjerimit 2026.
Kuadri i ri parashikon forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e shtetit të së drejtës, përfshirë mundësinë e kufizimit të fondeve për vendet që shkelin angazhimet e tyre.
Vendet e reja anëtare do të kenë të drejta të barabarta me 27 vendet aktuale, përfshirë një komisioner dhe të drejtën e vetos. Parashikohet gjithashtu që vendet kandidate të integrohen gradualisht në sektorë të BE-së përpara anëtarësimit të plotë.
Qeveria e konsideron dokumentin një sinjal të fortë politik për avancimin e Shqipërisë drejt objektivit të anëtarësimit në BE brenda kësaj dekade.



