Analisti dhe pedagogu i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi, komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV vizitën në Kosovë të Ndihmës-Sekretares amerikane të Shtetit për Europë dhe Euroazi, Karen Donfried.
Krasniqi tha se amerikanët po e shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt marrëveshjes së shpejtë, që të mos i lejojnë hapësira Putinit. Sipas Krasniqit, presidenti rus është i interesuar për një vatër krize në Bosnjë ose Kosovë, për të ngritur një paralele me situatën në Ukrainë.
Në sfondin e zhvillimeve dramatike dhe tragjike të Ukrainës, duket se edhe administrata amerikane po përpiqet ta përshpejtojë marrëveshjen Kosovë-Serbi, sepse për sa kohë konflikti është i hapur, i lë më shumë mundësi Rusisë ta manipulojë. Putinit i konvenon të ketë krizë në Kosovë dhe Bosnjë, si paralele me Ukrainën, dhe amerikanët po bëjnë të kundërtën duke shtyrë palët drejt dialogut dhe marrëveshjes. Një frymë anti-europeiste është dominante në Serbi. Një pjesë e madhe e tyre mendojnë se duhet të lidhen me Rusinë. Ka pasur edhe propozime për krimin e një federate me Rusinë dhe Bjellorusinë. Vatra më e brishtë është Bosnja, ku ka ndikim Dodiku. Ekziston edhe rreziku në Kosovë, ku Veriu nuk është i integruar plotësisht. Ka edhe banda kriminale. Këto janë arsyet pse diplomacia amerikane po insiston për përshpejtimin e dialogut”.



