
Opozita e Malit të Zi, ka akuzuar Qeverinë për tradhti, duke pretenduar se gatishmëria e saj për të shqyrtuar marrëveshjen e kufirit të vitit 2015 me Kosovën është një shitje.
Fronti Demokratik, është grupi kryesor i opozitës pro-serbe në Malin e Zi, dhe ka akuzuar qeverinë pro-perëndimore të vendit për tradhti pasi Podgorica dhe Prishtina ranë dakord të krijojnë një grup pune “për të korrigjuar nëse është e nevojshme” kufirin për të cilin është rënë dakord më parë mes dy vendeve.
Fronti e akuzoi kryeministrin Dushko Markoviç për “dhënien vullnetarisht të një pjese të territorit të vendit Kosovës”.
Një nga drejtuesit e Frontit, Nebojsha Medojeviç, të hënën në "Twitter" u ankua se asnjë nga partitë e tjera parlamentare, OJQ-të pro-perëndimore apo universiteti shtetëror nuk kishin reaguar pasi një pjesë e territorit të Malit të Zi i ishte “dhuruar shtetit të rremë të Kosovës”, raporton BIRN.
“Askush nuk reagoi përveç Frontit Demokratik. Të tjerët janë gati për tradhti”, tha Medojeviç.
Marrëveshja duhej të votohej në parlamentin e Kosovës në shtator të vitit 2016, por ratifikimi u shty pas përleshjeve të dhunshme për këtë çështje.
Partitë e opozitës në Kosovë pretendojnë se majat malore në Çakorr dhe Belluhë, të vendosura në kufi, të caktuara në Malin e Zi, janë pjesë e Kosovës.
Tani, aleanca opozitare e Frontit në Malin e Zi thotë se ka frikë se Podgorica po përgatit një “kompromis” dhe është e gatshme të heqë dorë nga një pjesë e territorit të vendit.



