Ka përfunduar sot procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave. Në Tiranë janë të shumtë banorët që thonë se anketuesit nuk kanë trokitur në dyert e tyre.
Sociologia Entela Binjaku, e cila vetë i përket komunitetit aromun, thotë se ky cens shënon regjistrimin e parë të këtij komuniteti si pakicë kombëtare. Megjithatë sipas saj, emigrimi masiv i shqiptarëve vitet e fundit pritet të reflektohet edhe në shifrat e aromunëve.
Në censin e 2011, në fund të vetëdeklarimit dolën 8266 aromunë në Shqipëri. Si pakicë kombëtare ne jemi njohur në 2017. Është hera e parë që regjistrohemi si pakicë kombëtare, sepse kemi qenë pakicë kulturore. Nëse qytetarët kanë qenë bashkëpunues dhe seriozë, besoj se do të presim një rezultat që.. le të themi se në këto 10 vitet e fundit shumë nga ata që kanë emigruar janë edhe nga pakica jonë dhe kjo do të reflektohet.
Binjaku tha se gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë janë disa raportimet për neglizhencën e anketuesve.
Mendoj se ishim përgatitur për më shumë pyetje. Pyetjet i kam gjykuar të drejta. Kam dëgjuar raste kur anketuesit nuk kanë shkuar fare, ose pyetje të caktuara nuk janë bërë fare.
Mendoj se ka pasur anketues që kanë trokitur disa herë dhe nuk kanë gjetur njeri në shtëpi. Ndoshta neglizhencë nga ana e anketuesve, ndoshta mungesë vullneti për të çuar deri në fund procesin.
Është një proces shumë i rëndësishëm. Në mesin e anketuesve mesa duket ka edhe nga ata që nuk e kanë kuptuar rëndësinë e këtij procesi që kryhet njëherë në 10 vjet.
Kam dëgjuar raste që na kanë pohuar se nuk ua kanë bërë fare pyetjet për gjuhën dhe kombësinë. Këto janë vetëm disa hallka që nuk shkojnë përkundrejt atyre që janë bërë subjekt i anketimit.
Sa u takon pakicave kombëtare, Binjaku theksoi se është koha që popullata të jetë më e hapur.
Çështjet që lidhen me fenë dhe kombësinë kanë ndjeshmëri shumë të lartë në radhën e popullatës. Ka shpërthim polemikash dhe kjo lidhet me një sërë faktorësh, mes të cilave edhe ngritja kulturore e popullatës. Është koha që vetë popullata të kuptojë se ka 6 vite që kur ligji për pakicat kombëtare është miratuar në Parlament dhe popullata e ka mundësinë të thellohet në të gjithë aktorët e kësaj shoqërie që vijnë nga pakicat, por i kanë dhënë shoqërisë shqiptare.



