Është hedhur në erë, ndërsa po udhëtonte në një automjet në rrugët e Kievit, gazetari investigativ bjellorus Pavel Shermet. Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë paradites të së mërkurës në kryeqytetin ukrainas, ndërsa mësohet se Shermet ishte nisur drejt redaksisë të gazetës ku punonte, Ukrayinska Pravda.
Gazetari i njohur u identifikua nga autoritetet ukrainase vetëm pak çaste pasi u bë pre e sulmit me eksploziv, ndërsa makina me të cilën po udhëtonte ishte në pronësi të shefes t ë gazetës Ukrayinska Pravda, Olena Prytula. Kjo e fundit nuk ishte në makinë gjatë atentatit.
Nga ana tjetër Presidenti i Ukrainës, Poroshenko lëshoi një deklaratë në rrjetet sociale ku kërkonte nisjen e hetimeve të menjëhershme ndaj këtij atentati dhe gjithashtu deklaroi se “autorët e kësaj vepre duhet të dënohen”. Gjithashtu të shmta janë zërat në vend që e lidhin vrasjen e Shermet për arsye që lidhen me integritetin e ti ndaj detyrës.
Shermet ishte bjellorus por prej kohësh punonte në Ukrainë dhe që nga vitet 90 njihej si aktivist për të drejtat e njeriut, lirisë së shprehjes dhe asaj të shtypit. Për këtë arsye ishte burgosur edhe në vitin 1997 në Bjellorusi, edhe pse ky akt i qeverisë u cilësua gjerësisht si burgosje politike. Shermet kishte kundërshtuar qëndrimin autoritar dhe shtypjen e mendimit të lire nga ana e Presidentit të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenko.



