NASA krijon ekipin që do studiojë UFO-t

NASA krijon ekipin që do studiojë UFO-t

NASA po krijon një ekip për të studiuar fenomenet ajrore të paidentifikuara, të njohura si UFO, tha të enjten agjencia hapësinore amerikane .

Ekipi do të mbledhë të dhëna për "evenimente që ndodhin në qiell që nuk mund të identifikohen si avionë ose fenomene të njohura natyrore -- nga një këndvështrim shkencor," tha agjencia.

NASA tha se ishte e interesuar për UAP, (Fenomenet Ajrore të Paidentifikuara) për shkak të sigurisë kombëtare. Nuk kishte asnjë provë që UAP-të kanë origjinë jashtëtokësore, shtoi NASA. Studimi do të fillojë këtë vjeshtë dhe pritet të zgjasë nëntë muaj.

"Ne kemi akses në një gamë të gjerë vëzhgimesh të Tokës nga hapësira -- dhe kjo është kryesorja e këtij studimi. Ne kemi mjetet dhe ekipin që mund të na ndihmojë të përmirësojmë të kuptuarit të të panjohurës. Ky është vetë përkufizimi i asaj që është shkenca. Kjo është ajo që ne bëjmë." tha Thomas Zurbuchen, administrator i asociuar i Drejtorisë së Misionit të Shkencës në selinë e NASA-s në Uashington, DC.

Ekipi do të drejtohet nga astrofizikani David Spergel, i cili është president i Fondacionit Simons në qytetin e Nju Jorkut.

NASA tha se numri i kufizuar i vëzhgimeve të UAP-ve e bëri të vështirë nxjerrjen e përfundimeve shkencore rreth natyrës së ngjarjeve të tilla.

"Duke pasur parasysh saasinë e të dhënave, detyra jonë e parë është thjesht të mbledhim grupin dhe të gjejmë edhe më shumë të dhëna," tha Spergel.

"Ne do të identifikojmë të dhëna -- nga civilët, qeveria, organizatat jofitimprurëse, kompanitë -- çfarë të gjejmë dhe t'i analizojmë ato më së miri."

Një hap i parë për ekipin do të ishte përpjekja për të përcaktuar se cilat UAP janë natyrore, tha NASA.

Në maj, ligjvënësit mbajtën dëgjimin e parë publik të Kongresit mbi UFO-t në dekada. Seanca dëgjimore ishte një moment i profilit të lartë për një temë të diskutueshme që prej kohësh është zhvendosur në periferi të politikës publike. 

Zyrtarët qeveritarë paralajmëruan se UAP-të duhet të hetohen dhe të merren seriozisht si një kërcënim i mundshëm për sigurinë kombëtare. Dhe një raport rreth UAP-ve i publikuar vitin e kaluar nga komuniteti i inteligjencës amerikane ka tërhequr shumë vëmendje.

NASA ka qenë prej kohësh në kërkim të gjetjes së jetës diku tjetër, prandaj programet e astrobiologjisë janë pjesë e fokusit të agjencisë, tha Zurbuchen. 

Roveri Perseverance aktualisht është duke kërkuar për shenja të jetës së lashtë që mund të kenë ekzistuar dikur në Mars, ndërsa misionet e ardhshme janë duke u zhvilluar për të kërkuar shenja jete në botët e oqeanit në sistemin tonë diellor. Agjencia kërkon të eksplorojë të panjohurën në ajër dhe hapësirë, tha Zurbuchen.

"Ne po kërkojmë të dhëna nëse mjedise të caktuara kanë jetë," tha ai gjatë konferencës për shtyp të enjten.

Agjencia do t'i përkushtohet studimit të UAP si çdo studim tjetër shkencor -- duke marrë një fushë që është e varfër në të dhëna dhe duke e bërë atë të denjë për studim dhe analizë shkencore.

"Ka shumë raste kur diçka që dukej magjike doli të ishte një efekt i ri shkencor," tha Zurbuchen.

Duke pasur parasysh çështjet e sigurisë kombëtare dhe të sigurisë ajrore që janë ngritur me UAP-të, shkencëtarët duan të shikojnë vëzhgimet dhe të përcaktojnë nëse këto janë të natyrshme ose duhet të shpjegohen ndryshe.

Ndërsa të folurit për UAP-të në një mjedis shkencor tradicional mund të shihet me përçmim ose të konsiderohet si diçka që nuk lidhet me shkencën, Zurbuchen "e kundërshton me forcë këtë."

"Unë vërtet besoj se cilësia e shkencës nuk matet vetëm nga rezultatet që vijnë pas saj, por edhe nga pyetjet që ne jemi të gatshëm të trajtojmë me shkencën," tha ai.

Ky studim do të jetë tërësisht i paklasifikuar dhe do të jetë në domenin publik.

Raporti i plotë do të vihet në dispozicion të publikut dhe ekipi studiues do të mbajë një takim publik për të diskutuar gjetjet, tha Daniel Evans, ndihmës zëvendës administrator i asociuar për kërkime në Drejtorinë e Misionit Shkencës të NASA-s, gjatë konferencës për shtyp. Ashtu si panelet e tjera standarde të rishikimit të granteve të NASA-s, buxheti i vlerësuar për këtë projekt është midis disa dhjetëra mijëra dollarë dhe jo më shumë se 100,000 dollarë, tha Evans.

Ndërsa është e vështirë të parashikohet se çfarë do të zbulojë studimi, Spergel tha se "ne duhet të jemi të hapur ndaj idesë se po shohim disa fenomene të ndryshme".

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy