Rabeta: Rreziku i pastrimit të parave në paqen fiskale më i madh se në amnistinë e 2022

Rabeta: Rreziku i pastrimit të parave në paqen fiskale më i madh se në amnistinë e 2022

Nisja e zbatimit të paketës së quajtur “Paqja Fiskale” ka rikthyer debatin mbi efektet që kjo nismë mund të ketë tek bizneset, ekonomia dhe lufta kundër informalitetit. 

 

Gazetari Lorenc Rabeta, në një analizë për ‘MCN Economy’, e cilësoi këtë proces si vijimësi të debatit të nisur që në vitin 2022 me amnistinë fiskale të propozuar nga qeveria Rama.

 

Sipas Rabetës, termi “paqe fiskale” është më shumë një formulim politik dhe populist sesa një ndryshim real në thelb.

 

“Është thjesht terminologji. Një fjalë e bukur, një populizëm, një ftesë. Nuk janë ato amnistitë tipike, por këtu është një paqe e mirëfilltë që do të zgjasë vite me qeveritë e tjera. Sepse duhet paqe; pse duhet të jetë luftë?

 

Rabeta solli në vëmendje edhe deklaratat e mëparshme të ekspertëve dhe debatet mbi raportin mes biznesit dhe shtetit. 

 

Pse duhet të jetë luftë biznesi me qeverinë? Nuk ka asnjë përgjigje për këtë”, tha ai, duke cituar një argument të ngritur më herët në diskutimet publike.

 

Sipas gazetarit, “paqja fiskale” nuk mund të shihet e shkëputur nga tentativa për amnisti fiskale në vitin 2022, e cila hasi kundërshtim të fortë nga partnerët ndërkombëtarë. Ai kujtoi se skema e atëhershme synonte t’u jepte mundësi individëve dhe bizneseve të deklaronin pasuri të padeklaruara dhe t’i formalizonin në ekonominë shqiptare.

 

Biznese apo individë të caktuar mund të deklaronin: ‘Kam dy milionë euro të siguruara me punë të zezë në Londër’ dhe t’i formalizonin në ekonominë tonë. Pikërisht për këtë arsye pati kundërshtime të forta nga faktorët ndërkombëtarë.

 

Ai shtoi se, edhe pse qeveria hoqi dorë nga amnistia pas reagimeve ndërkombëtare, diskutimi nuk u ndërpre kurrë realisht.

 

Shumë pak kohë pasi u hoq dorë nga amnistia, erdhi kjo ‘paqja fiskale’. Prandaj unë e quaj një diskutim të nisur në vitin 2022 dhe të pandërprerë gjatë këtyre viteve.

 

Në analizën e tij, Rabeta ngriti shqetësimin për efektin që kjo nismë mund të ketë tek bizneset formale, duke argumentuar se është dhënë një sinjal i gabuar për subjektet që operojnë në informalitet.

 

Bizneseve që e kanë qejf informalitetin iu dha sinjali se amnistia do të vijë. Jo sot, sepse nuk po e lejojnë ndërkombëtarët, por procesi ka nisur. Dhe këto biznese gjatë këtyre viteve kanë vazhduar të punojnë me idenë se do të ketë një amnisti.

 

Sipas Rabetës, kjo ka sjellë rritje të borxheve dhe zgjerim të aktivitetit informal, me pritshmërinë se detyrimet do të falen apo legalizohen në të ardhmen.

 

Ai ngriti gjithashtu alarmin për rrezikun e pastrimit të parave, duke theksuar se shqetësimet e ngritura më herët nga FMN-ja mbeten ende aktuale.

 

Rreziku i pastrimit të parave ishte shumë më i madh në këtë ‘paqe fiskale’ sesa në amnistinë fiskale të shpallur fillimisht në vitin 2022.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy