
Përfaqësuesja e Unionit Turistik Shqiptar, Aida Gjeçaj, thotë se turizmi malor ka shënuar rritje kërkesash vitet e fundit, edhe pse gjatë fundit të qershorit dhe fillimit të korrikut ka pasur një rënie prej 10-15%.
Duke folur për MCN Live, ajo deklaroi se turizmi malor fillon nga fundi i prillit dhe fillimi i majit dhe se në fillimin e majit pati dyfishin e xhiros apo fluksit të vitit të kaluar.
Gjeçaj deklaroi se maji ishte me perspektivë shumë të mirë dhe shifra shumë të larta aq sa nisi që të kishte shqetësime se si do e përballohej korriku dhe gushti, mbase prej kampionatit europian.

Mesi i qershorit dhe fillimi i korrikut nuk janë në pritshmëritë që mendohej, mbase për arsye të ndeshjeve apo arsye të ndryshme.
Nuk besoj se tek ne ndikojnë çmimet, se nuk kanë lëvizur shumë në raport me vitet e kaluara, pasi mund të kenë lëvizur vetëm me 5 euro dhoma, por ushqimi nuk ka pësuar asnjë ndryshim.
Perceptohet një rënie gjatë qershorit, por mbas mbarimit të ndeshjeve, duke qenë se menaxhoj një bujtinë dhe kam një faqe web që funksionon si info point për të gjithë alpet, mund të them se do kemi një bum tjetër, pasi shikueshmëria ka arritur pikun që nuk është parë më herët.
Bujtinat në fundjava janë super plot, por java paraqitet sërish në kapacitete 70-80% të tyre. Në Theth kapacitet akomoduese janë diku te 2000 shtretër.
Diçka të tillë ka dhe Valbona, këto të dyja kanë më shumë kapacitete. Lumi i Shalës është shumë i kërkuar, Lugina e Vermoshit është shumë e kërkuar.
Vetëm gjatë sezonit turistik në rrugën e Komanit, që të çon në Lumin e Shalës, Valbonë dhe 50% ndalojnë në Theth, kalojnë më shumë se 500 mijë turistë në atë rrugë.
Kapacitetet akomoduese janë të pamjaftueshme. Çdo vit ka pasur rikonstruksione dhe rinovime të reja, duke iu përgjigjur kërkesës në rritje për akomodim.
Turizmi malor është turizëm aktiv. Thethi pjesën e turizmit e ka filluar që në 2007 me turistët e parë të huaj, çekët dhe polakët, të cilët duan vendet e paeksploruara shumë, të pazhvilluara, që të jenë të parët që i eksplorojnë.
Pas tyre kanë qenë gjermanët dhe anglezët, në vitet e fundit kemi shumë danezë, holandezë dhe në dy vitet e fundit janë shtuar dhe spanjollët, sa nuk e kuptonin se pse vinin në Shqipëri.
Janë dhe eksploratorë që duan të vizitojnë edhe malin përveç bregdetit. Edhe izraelitët e duan aventurën dhe të eksplorojnë zonat e pashkelura.
Nëse Thethi po kthehet në zonë të zhvilluar ata shkojnë në zona të tjera dhe fshatra të tjera të pazhvilluara.
Kemi turistë nga e gjithë bota, që vijnë dhe kërkojnë këtë eksperiencë lokale, pa kërkuar kushtet maksimale, edhe pse ne si operator punojmë çdo ditë për ti pasur në standard.
Jemi pak a shumë në të njëjtat shifra si viti i kaluar për qershor-korrik, ose rreth 10-15% më pak se korrikun e kaluar.
Nëse korriku i kaluar ishte me kapacitet të plotë, sivjet mund të kemi tek tuk ndonjë dhomë bosh.
Nëse i pyes specifikisht bujtinat që kanë një traditë në mikpritje, ato thonë se janë plot dhe në rregull.
Ka bujtina të reja që mbase nuk kanë marketimin e duhur, ato nuk janë plot, por që duke punuar në platforma si booking edhe ato do të mbushen.
Një dhomë është 60-70 euro normalja, për një familje një dhomë katërshe varion 90-120 euro me mëngjesin e përfshirë, çmime në Theth, Valbonë dhe alpe.
Çmimet e restoranteve për një drekë janë ala carte, 10-15 euro për person.
Fatmirësisht vazhdojmë te kemi ushqime vendase tradicionale, duke promovuar kuzhinën shqiptare, si maza, flija, jufkat, mishi i kecit, mishi i viçit.
Kemi akoma produkte lokale, arrijmë t’i sigurojmë ato.
Qingji i alpeve kushton më shumë se ai i importit dhe qumështi, gjalpi, djathi, i sigurojmë të alpeve dhe jo të baxhove.



