Një shqiptar ka qenë një prej katër protagonistëve të vjedhjes së një thesari të vërtetë në vitin 2015 në Torino, Itali. Zef Zefi, 42 vjeç, ka vjedhur në atë kohë një statujë, një varëse dhe objekte të tjera të çmuara në një vlerë prej 7 milionë eurosh.
Një pjesë e objekteve të vjedhura në shtëpinë e trashëgimtares së një familjeje të pasur i janë dorëzuar kësaj të fundit dje në gjykatë.
Gruaja ka thënë se nuk e kishte denoncuar vjedhjen e statujës, pasi e kishte pasur mendjen te bizhuteritë me vlerë. Statuja dhe varësja janë gjetur në Lombardi, pas informacioneve që ka dhënë Zefi pak ditë më parë, kur ka pranuar autorësinë e vjedhjes dhe ka rrëfyer se tre bashkëpunëtorët e tjerë i kishin groposur objektet e vjedhura.
Nën akuzë për vjedhjen janë edhe një serb me emrin Denis Jovanovic, që në zonë njihet si një zotëri mjaft elegant. Ai dyshohet se ka ngritur skenarin e hyrjes në shtëpinë luksoze në rrugën “Giolitti”, e shoqja, pronare e një butiku në Torino dhe nëna e saj.
Ndërkohë, pjesa tjetër e objekteve të vjedhura dyshohet se janë shitur dhe paratë janë shpenzuar.



