Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ditën e sotme ka dhënë një intervistë për emisionin e BBC-së, “Hard Talk”. Gjatë intervistës, Osmani ka folur se cili është dallimi i saj me politikanët e gjeneratës së vjetër, pse duhet t’i besojë rinia e Kosovës, çfarë mendon për gjykimin e ish-presidentit Thaçi në Hagë, cili është qëndrimi i saj për dialogun me Serbinë dhe nëse do ta mbështesë bashkimin me Shqipërinë.
Në lidhje me çështjen sesi do ishte qëndrimi i saj nëse do votohej për një referendum për bashkimin me Shqipërinë, Osmani nuk ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ajo është shprehur kjo është diçka që nuk e lejon kushtetuta e Kosovës, por në një të ardhme nëse ajo ndryshon, nuk e di se cili mund të jetë qëndrimi i saj.
“Kjo nuk është pyetje që do t’i përgjigjesha, sepse sipas kushtetutës sonë, nuk mund të ketë referendum për këtë temë. Kushtetuta është e qartë dhe unë vërtet besoj në këtë kushtetutë. Nëse kjo kushtetutë do të ndryshohej ndonjëherë, ndonëse dispozitat për ndryshimin e saj janë jashtëzakonisht të vështira, sepse ato i kërkojnë edhe dy të tretat e komuniteteve joshumicë, vetëm nëse kjo kushtetutë do të ndryshohej ndonjëherë dhe kjo mund të ndodhë – s’jam e sigurt pas disa dekadave, në atë kontekst politik do të mund të përgjigjesha. Në kontekstin politik të tanishëm, natyrisht, duke besuar në mënyrë fundamentale në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përgjigjja ime është: Kosova është këtu për të qëndruar, Kosova është përgjithmonë”, deklaroi Osmani.
Ndërkohë, në lidhje me deklaratën e Albin Kurtit, i cili është shprehur se do ta mbështeste me votë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ajo është shprehur se beson te një Kosovë e pavarur dhe sovrane dhe do punojë në lidhje për këtë.
“Unë besoj fuqishëm në një Kosovë të pavarur dhe sovrane dhe do të vazhdoj të punoj për këtë. Zoti Kurti dhe unë u jemi përgjigjur qartazi pyetjeve rreth kontekstit të tanishëm kushtetues të Kosovës”, u shpreh ajo.



