Kreu i PD-së, Lulzim Basha, mbajti sot fjalën e radhës në çadrën e protestës, e cila është në ditën e saj të 37-të. I sapokthyer nga SHBA-të, Basha tha se ka marrë atje mbështetjen për kauzën e PD-së.
“Amerika është me ne, Europa dhe aleatët e Shqipërisë janë me ne deri në fitore. Fillon dhe llomotit, e keni dëgjuar të flasë për armiqtë e jashtëm që nuk i duan të mirën Shqipërisë, të cilët sipas tij paskan bërë konspiracion me këtë çadër lirie, me këtë shesh lirie, me këtë koalicion lirie. Po kundër kujt? Sot nga ky shesh dua ti them Edi Ramës dhe mercenarëve të tij që paguhen me paratë e drogës dhe narkomafias shqiptare, mercenarëve të tij shqiptarë dhe të huaj, zyrtarë të shkarkuar për korrupsion nga qeveritë e tyre me paratë e drogës shqiptare lehin kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Shqipëria dhe shqiptarët kanë vetëm një armik, kjo është tirania e krimit, korrupsionit, tirania e drogës dhe ne jemi të vendosur ta mundim, ta shporrim dhe ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo tirani”, tha ai.
Basha tha se koha po tregon që kauza e PD-së është e drejtë.
“Dielli po incineron, po djeg dhe përvëlon gënjeshtrat e Edi Ramës dhe konsulentëve të tij të paguar me paratë e mafias shqiptare. Uashingtoni e di të vërtetën, Perëndimi e di të vërtetën, e vërteta ka triumfuar. E vërteta e dhimbshme e një qeverie që qeveriset nga një Kryeministër i bërë njësh me narkomafian dhe krimin e organizuar ka triumfuar dhe pas të vërtetës vjen fitorja e vlerave dhe fitorja e betejës sonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të presim në këtë shesh të vendosur dhe të bashkuar kështu si jemi lajmin e fitores, lajmin e largimit të Edi Ramës, qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha ai.



