Krimi po vendos fatet e ekonomike dhe politike në vend. Kështu tha për TVT eksperti i ekonomisë, Mateo Spaho. Sipas tij, amnistia fiskale mund ta përkeqësonte situatën, ndërkohë me paratë informale blihen edhe zgjedhjet.
“Ne dimë se në një vend si Shqipëria me paratë bëhen shumë gjëra, blihen edhe zgjidhjet. Pjesa jo thjesht informale e ekonomisë shqiptare që është sa 40% e ekonomisë shqiptare, por pjesa kriminale është sa 60 për qind e pjesës informale. Pra 22% të ekonomisë shqiptare sipas raporteve ndërkombëtare ka një origjinë kriminale. Kështu rrezikojmë që krimi të vendosi jo vetëm fatet e ekonomisë së vendit, por edhe fatet politike të vendit. Çfarëdo lloj tentative për amnisti fiskale do të ishte e kotë dhe nëse dikush mendon se do të ketë rezultat sepse njerëz të caktuar po përpiqen të sjellin para këtu”, deklaroi ai.
Spaho tha se Shqipëria s’ka sistem kontrolli të parave dhe kjo vërtetohet te sektori i ndërtimit, ku asnjë biznes ndërtimi nuk rezulton me kredi, e ndërkohë këto miliarda euro në këtë sektor nuk e justifikojnë orgjinën, kur të ardhurat e deklaruara në tatime janë minimale.
“Shqipëria nuk ka një sistem të tillë, që të hapë dhe të mbyllë dyert e kontrolleve, aq më shumë kur jemi një vend që ka një certifikatë pronësie të dyshimtë. Kryerja e një amnistie fiskale do të ishte e dyshimtë pasi në momentin kur unë di që nuk përfitoj asgjë përse duhet të amnistoj pasuritë e mia. Në Shqipëri, sot kemi investime me miliarda euro. Në pallate apo aktivitete ndërtimi. Këto ndërmarrje që ndërtojnë sot nuk kanë marrë kredi. Pra paratë janë marrë në mënyrë informale. Mund të jenë marrë edhe nga krimi. Ajo që na duhet është një reformë e sistemit tatimor, doganor dhe të administratës shtetërore”, u shpreh ai.
Spaho shprehet se amnistia do të sillte problem ekonomik në një kohë të dytë, pasi do të ishte e vështirë të tatosh këta persona. Një amnisti fiskale, nuk garanton investimin e tyre.
Më parë se të bëhet amnistia duhet të kryhen kontrolle, në mënyrë që individët të jenë të frikësuar për të krijuar evazion fiskal.



