Pasditën e sotme përfundon afati kohor prej 48 orësh që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ofroi kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, për të nominuar kandidatin për kryeministër.
Pas takimit disaminutësh të së hënës me Kurtin, Thaçi tha se kreu i VV-së nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit dhe se kishte vendosur t’i ofronte edhe 48 orë shtesë para se të ndërmerrte veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore.
Megjithatë, Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti, i cili shoqëroi Kurtin në këtë takim tha se Thaçi në asnjë moment nuk ka përmendur kufizim kohor për nominimin e kandidatit për kryeministër e aq më pak afatin prej 48 orëve.
Sipas tij, ky kufizim kohor apo çfarëdo kufizimi i ngjashëm nuk ka bazë kushtetuese.
Një tjetër takim i radhës poashtu do të mbahet sot në Kuvendin e Kosovës, mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.
Takimi mes dy liderëve do të mbahet përsëri për mundësinë e një arritje të koalicionit qeverisës mes dy partive për formimin e qeverisë së re.
Ky takim vjen pas takimit të mbajtur sot i cili zgjati në më shumë se 3 orë por takim i cili rezultoi edhe sot pa marrëveshje për bashkëqeverisje.
Po ashtu VV-ja do të mbajë mbledhjen e kryesisë në orën 10:00, e cila u mbajt edhe dje.



