Eksperti i bujqësisë Eduart Sharaka duke folur në “Mcn Economy” theksoi që nuk ka funksionuar sistemi i kanaleve kulluese në rastin e përmbytjeve të fundit. Sharka theksoi se dëmet janë të jashtëzakonshme dhe fermerët po kërkojnë së paku një dëmshpërblim në masën 30 apo 50 për qind të dëmit.
“I kam ndjekur të dhënat e drejtorive të Bujqësisë dhe ministrisë së Bujqësisë, që kanë priroritetin të pasqyrojnë sa më pak sipërfaqe të përmbytur, por në terren kemi parë që sipërfaqja ka qenë e madhe si asnjëherë tjetër. Fushën e Tërbufit ka vite që s’e shoh të përmbytur si këtë herë.
Ka akoma ujë, që s’është larguar, që tregon edhe mos funksionimin e kanaleve kulluese. Po të funksiononin këto sisteme, do ishte larguar uji. Rrjeti i drejtorëve kanë shef administrativ të parin e qarkut që akuzohet nga drejtësia për pabarazi në tendera. Ky është modeli i qeverisjes. Fonde ka, sepse kur kemi fonde për satelitë dhe Giro d’Italia, do të thotë që fondet për kanalet janë hequr dhe është shpenzuar për gjëra të tjera.
Kemi dëme të jashtëzakonshme. Fermerët ‘e shkretë’ të paktën kërkojnë një lloj kompensimi, 30 apo 50 për qind të dëmeve. Kur flitet për shkaqet e përmbytjeve themi fatkeqësi natyrore, dhe kur flitet për dëshmpërblim nuk themi fatkeqësi natyrore, sepse ligji parashikon dëmshpërblim. Një nga shkaqet e largimit të 20 për qind fermerëve nga fshati janë edhe fatkeqësitë natyrore”.



