Ish-ministri i Jashtëm Arian Starova tha në emisionin “Arnautistan” se KFOR-i nuk mund të lejojë futjen e forcave serbe në Veri të Kosovës.
Ai u shpreh se ka pak gjasa që Serbia të hyjë në konflikt me NATO-n, sepse do të mbrojë interesin e vet si shtet, përpara atij të Rusisë.
E tensionuar është situata, por të mbështetemi te deklaratat e NATO-s, Stoltenbergut, dokumentat ligjore, s’jam shumë i shqetësuar sepse KFOR ka mandatin që mos lejojë prishje të sigurisë në Veri dhe mos lejojë cenim të kufijve nga forcat serbe. Nuk ka mundësi të ketë ndonjë konflikt me përmasa të gjëra, ndonëse një aventurë të tillë Vuçiçi mund ta marri. Unë mendoj që një mendje e arsyeshme dhe e pavarur prej Rusisë nuk mund ta bëjë. Përqindja që mund të bëhet është shumë e vogël. E gjitha kjo i intereson Rusisë, sepse i intereson të marrë copa nga Ukraina, të ndryshojë kufijtë. Ai kërkon që problemin dhe synimin gjeopolitik në Ukrainë, ta mbështesë me fakte të tjera. Rusisë i intereson Serbia dhe Serbisë i intereson të marrë një pjesë të Kosovës”.



