Mbi 3 tonët e drogës të kapur në Mirditë janë një tjetër fakt i kanabizimit të vendit nga Edi Rama. Kështu është shprehur sot kreu I PD-së, Lulzim Basha, gjatë një takimi me drejtues të strukturave të partisë në degën 12 në Tiranë.
Për Bashën, “përplasja mes policisë së Lezhës dhe Mirditës për drogën në Rreshen dhe shkarkimet në bllok të oficerëve të policë që kryen operacionin janë treguesi më i qartë se ku ka degraduar shteti i Edi Ramës, dhe se kush është padroni i vërtet i drogës në Shqipëri”.
“Ky është një shtet i banditizuar në çdo qelizë, për pazaret e drogës nuk po luftojnë më vetëm bandat me njëra-tjetrën por po lufton edhe shteti brenda shtetit. Mbi tre tonë drogë kanë kapur në ish-pularinë në Rrëshen, jo në majë të malit por në qytet, në ish-pularin në Rrëshen. Prej katër apo pesë orësh e mbanin të rrethuar dhe nuk guxonte të hynte policia. Policia e Rrëshenit kishte braktisur operacionin, policia e Lezhës nuk guxonte të hynte. Është treguesi më i qartë i kriminalizimit të shtetit e të policisë nga Edi Rama”, tha ai.
Basha tha se droga, krimi dhe hajdutëria qeveritare janë tre përgjegjësit kryesorë për gjendjen e vendit dhe përsëriti se kushti që “vendi të shohë një ditë të bardhë është largimi i kësaj qeverie”.



