Ermal Beqiri është një biznesmen shqiptar, emri i të cilit është bërë publik në dokumente hetimore në lidhje me disa procedura prokurimi në fushën e teknologjisë së informacionit, të zhvilluara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Sipas njoftimeve zyrtare të Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë hetuar disa persona, përfshirë Beqirin, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për manipulim tenderash. Akuzat e përmendura nga prokuroria përfshijnë shkelje të barazisë në tendera, konkurrencë të paligjshme, presion ndaj operatorëve ekonomikë, heqje të paligjshme të lirisë dhe pastrim parash në kuadër të veprimtarisë së një grupi të strukturuar kriminal.
Prokuroria ka deklaruar se dyshohet që procedurat janë manipuluar dhe se janë përdorur fatura fiktive apo transaksione të dyshimta për të favorizuar kompani të lidhura me të dyshuarit.
Pasi Xhadat verifikuan të gjitha kompanitë e Ermal Beqirit, ku ka përfituar procedura prokurimi dhe transaksione thesari gjatë periudhës dhjetor 2025 deri sot nëpërmjet kompanive në pronësi të tij:
1. 5min.al me NIPT L81311013B
2. AL – FORENSIC me NIPT L12312001B
3. AL SOFT me NIPT L01728002G
4. SOFT SOLUTION me NIPT L11328009F
5. ALB RED STONE me NIPT L26905701M
6. R&D Solution me NIPT M41507014P
7. Nsolution me NIPT K81722014G
8. H O R I Z O N me NIPT K52225004V
9. Cyberfarm me NIPT M51414033I
10. Shoqata "ACTI" me NIPT M51513453R
Rezulton se, nga 10 shoqëri ka përfituar kontrata dhe pagesa vetëm nëpërmjet shoqërisë Soft Solution dhe H O R I Z O N sepse qartësisht efikasiteti ka një emër dhe ai nuk është gjithmonë i shpërndarë drejt:
Çështja nuk është se si ka mundësi që edhe pas goditjes nga SPAK të grupit, ku bën pjesë edhe Ermal Beqiri, firmat e tij vazhdojnë dhe fitojnë tendera. Problem është fakti se kompanitë e tij vazhdojnë të operojnë në institucione sensitive, me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare.
Pra, le të mbajmë parasysh datën 16 dhjetor të vitit të kaluar, datë kur SPAK bëri goditjen ndaj grupit kriminal…
Shoqëria Soft Solution shpk ka përfituar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor tenderin me objekt "Blerje soft/ hardware për rritjen e kapaciteteve të sigurisë kibernetike", me fond limit 1.7 miliardë lekë dhe vlerë kontrate 1.6 miliardë lekë. Në garë kanë marrë pjesë 4 operatorë ekonomikë, nga të cilët 2 me ofertë 0 lekë, si dhe shoqëria FIRT shpk, e cila është pjesë e dosjes së SPAK për AKSHIN. Formulari i Njoftimit të Fituesit është shpallur në Buletinin Nr. 78 datë 9 Dhjetor 2025, faqja 303 dhe lidhja e kontratës është publikuar në Buletinin Nr. 79 datë 15 Dhjetor 2025, faqja 688
Pra, në 15 dhjetor u lidh kontrata? Në 16 vjen goditja e SPAK, ndërkohë që kjo shoqëri përfiton për periudhën dhjetor 2025 – shkurt 2026, 14 transaksione thesari me vlerë 450 milionë lekë.
Nga praktika, për shoqëri nën hetim, por edhe të hetuar dhe dënuar për vepra penale, nuk ka pasur ndërprerje të pagesave dhe këtu sjellim në vëmendje aferën e inceneratorëve, të cilat janë hetuar dhe dënuar disa eksponentë edhe politike por cuditërisht pagesat vijojnë ende sot, me motivacionin e pasjes së një kontrate ndërmjet shtetit dhe operatorit ekonomik.
Ndërsa, shoqëria H O R I Z O N T shpk ka përfituar vetëm një transaksion thesari me vlerë 4.3 milionë lekë.
Edhe këtë herë do t’ju informojmë për dobinë dhe të mirat që ka pushteti për biznesin. Natyrisht, bëhet fjalë për bizneset e njerëzve me pushtet apo familjes së tyre.
Emiriana Sako
Është kryetarja e bashkisë së Durrësit. Le të shohim pak si kanë shkuar bizneset në këtë familje:
Së fundmi Operatori i Blerjeve të Përqëndruara ka shpallur fituesit e dy tenderave të mëposhtëm, përfituar nga vëllai i bashkëshortit të Emiriana Sakos:
Konkretisht:
Tenderi me objekt "Blerje autoambulanca (me sisteme, pajisje dhe aparatura mjekësore) për shërbimin e urgjencës për QKUM", si procedurë mbi kufirin e lartë monetar, me fond limit 1.43 miliardë lekë dhe vlerë kontrate 1.31 miliardë lekë, me diferencë me ofertën më të ulët 191 milionë lekë ose 14.6% e vlerës së kontratës.
Tenderi me objekt "Blerje automjete te reja, tip autoburgje të blinduara me kategori të sigursë (blindimit) "BR6", për sistemin e Burgjeve për vitin 2025", me vlerë kontrate 640 milionë lekë.
Në vetëm 2 tendera, ku si kriter për kualifikimin e fituesit kanë pranuar kriterin e ofertës ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim ose çmimit më të ulët, por kualifikohet oferta më e lartë ose cdo ofertë më e lartë se oferta më e ulët, buxhetit të shtetit do t'i kurseheshin plot 256.4 milionë lekë, vlerë më e lartë se tenderi për blerjen e frutave dhe zarzavateve për cerdhet dhe kopshtet e Durrësit firmosur nga vetë Emiriana Sako, me fond limit 217 milionë lekë, të cilën përvec të tjerave, e ka dhënë pa garë.
Në date 13.01.2005, themelohet shoqëria Blu Auto shpk nga shtetasi Skënder Shahini (babai i Landi dhe Edmond Shahinit,).
Në 25.05.2007, kjo shoqëri shndërrohet nga Blu Auto shpk në Mektrin Motors shpk dhe 50% të kuotave të shoqërisë ortaku i vetëm Skënder Shahini ja shet shtetasit Landi Shahini, i cili ja shet sërisht Skënder Shahinit në vitin 2008, për vlerën 23.5 milionë lekë.
Pavarësisht largimit nga shoqëria, kjo shoqëri është "de facto" në pronësi të Landi Shahinit jo babait të tij dhe as vëllait të tij, i cili është bashkëshorti i Emiriana Sakos, Kryetares së Bashkisë së Durrësit. Aktualisht, kjo shoqëri është në pronësi të vëllait, Edmond Shahini sepse forma është një gjë, përmbajtja një tjetër.
Edhe pse ne e kemi trajtuar edhe më herët si temë , sërisht asnjë gjë nuk ndryshon, familja e Emiriana Sakos vijon të përfitojë para publike nëpërmjet procedurave të prokurimit, të cilat kryesisht janë tendera problematikë, ose në mungesë konkurence ose si oferta më të lartë, me diferencë million lekë me ofertën më të ulët, vlerë që do të duhej të kursehej, mjafton të zbatohej Ligji "Për Prokurimin Publik" dhe kriteri i pranuar nga vetë institucionet, ai i ofertës më të ulët.
Për periudhën 2024 – 2026, Mektrin Motors shpk ka përfituar 10 tendera me vlerë 6.31 miliardë nga të cilat 9 me shkelje si më poshtë vijon dhe vetëm 1 pa ndonjë shkelje të dukshme.
1. Tenderi me objekt Loti 2 "Marrje autovetura SUV me qira për policinë e shtetit", me fond limit 2.28 miliardë lekë dhe vlerë kontrate 2 miliardë lekë, me diferencë me ofertën më të ulët 296.6 milionë lekë ose 14,7% e vlerës së kontratës, vlerë e cila do të kursehej mjafton të zbatohej ligji dhe kriteri i pranuar nga vetë institucioni.
2. Tenderi me objekt Loti 1 ""Blerje minibusa për Drejtorinë e Përgjiths me të Doganave", me fond limit 133 milionë lekë dhe vlerë kontrate 128.4 milionë lekë, si operator i vetëm në garë pra pa garë. Tender i anulluar më shumë se dy here dhe më pas i është dhënë pa garë familarëve të Sakos.
3. Tenderi me objekt "Blerje zjarrfikse dhe automjete shërbimi Pick Up për ARRSH", me fond limit 997.6 milionë lekë dhe vlerë kontrate 798 milionë lekë. Pa ndonjë shkelje të dukshme por sigurisht për shkak të lidhjeve me pushtetin.
4. Tenderi me objekt "Blerje automjetesh", me fond limit 79.7 milionë lekë dhe vlerë kontrate 76 milionë lekë. Në këtë tender janë skualifikuar të gjithë operatoret konkurrues pervec fituesit.
5. Tenderi me objekt Loti 4 "Blerje Autoambulanca për Drejtorinë Përgjithshme të Burgjeve", me fond limit 1 miliardë e 85 milionë lekë dhe vlerë kontrate 1 miliardë e 63 milionë lekë, me diferencë me ofertën më të ulët 80 milionë lekë ose 8% e vlerës së kontratës, vlerë e cila do të kursehej mjafton të zbatohej ligji dhe kriteri i pranuar nga vetë institucioni.
6. Tenderi me objekt Loti 4 "Blerje automjeti për inspektimin për AKSEM", me fond limit 91.6 milionë lekëdhe vlerë kontrate 90.9 milionë lekë, me diferencë me ofertën më të ulët 7 milionë lekë ose 7.7% e vlerës së kontratës. Në këtë tender janë skualifikuar të gjithë operatoret konkurrues pervec fituesit si dhe nuk është kualifikuar oferta më e ulët
7. Tenderi me objekt "Blerje automjeti elektrik fuoristradë për Inspektoratin Qëndror", me fond limit 36.1 milionë lekë dhe vlerë kontrate 32.9 milionë lekë, fituar nga operatori i vetëm në garë pra pa garë.
8. Tenderi me objekt "Loti 1 "Blerje automjetesh të kalueshmërisë së lartë"", me fond limit 165 milionë lekëdhe vlerë kontrate 162.6 milionë lekë, fituar nga operatori i vetëm në garë pra pa garë.
Kjo faktohet edhe nga tenderi i përfituar nga Autoriteti Portual Durrës në vitin 2021, kohë kur ky institucion drejtohej nga Pirro Vengu, tashmë Ministër i Mbrojtjes, me vlerë 60.6 milionë lekë sa 98% e fondit limit, fituar nga bashkimi i operatorëve Mektrin Motors shpk dhe Eurocar Rentals shpk si ofertë e vetme në garë pra pa garë, një model bashkëpunimi që minimizon… surprizat.
Për periudhën 2024 – 2025, Eurocar Rental shpk ka përfituar 4 tendera me vlerë 2.9 miliardë lekësh, të gjitha me shkelje si më poshtë vijon:
1. Tenderi me objekt Loti 1 "Marrje autovetura SEDAN me qira për policinë e shtetit", me fond limit 2.22 miliardë lekë dhe vlerë kontrate 1.98 miliardë lekë, me diferencë me ofertën më të ulët 273.6 milionë lekëose 13.8% e vlerës së kontratës. Në këtë tender janë skualifikuar të gjithë operatoret konkurrues pervec fituesit si dhe nuk është kualifikuar oferta më e ulët
2. Tenderi me objekt Loti 2: "Blerje Autovetura 4+1 dhe 8+1 për Policinë e Shtetit", me fond limit 633 milionë lekë dhe vlerë kontrate 615.5 milionë lekë, si oferta më e lartë me diferencë me ofertën më të ulët 50 milionë lekë ose 8% e vlerës së kontratës. Edhe në këtë tender janë skualifikuar të gjithë operatoret konkurrues pervec fituesit si dhe nuk është kualifikuar oferta më e ulët
3. Tenderi me objekt "Blerje automjetesh për nevoja të MEKI", me fond limit 244 milionë lekë dhe vlerë kontrate 243.2 milionë lekë, sa 100% e velrës së fondit limit, fituar nga operatori i vetëm në garë pra pa garë.
4. Tenderi me objekt Loti 1 "Blerje automjeti për Ministrinë e Financave", me fond limit 41.3 milionë lekë dhe vlerë kontrate 41 milionë lekë, fituar nga operatori i vetëm në garë pra pa garë.
Nëpërmjet dy tenderave të fundit, janë shpenzuar 284.2 milionë lekë për blejen e automjeteve të Ministrit të Ekonomisë Kunturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, i cili është edhe epror i Operatorit të Blerjeve të Përqëndruara dhe automjetin e Ministrit të Financave, Petrit Malaj.
Në një hetim më të thelluar na del se:
Për periudhën 2014 – 2026, shoqëria Mektrin Motors shpk ka përfituar 70 procedura prokurimi, me vlerë 13.7 miliardë lekë.
Për periudhën 2024 – 2025 (ka filluar përfitimin në 2024), shoqëria Eurocar Rental shpk ka përfituar 7 procedura prokurimi, me vlerë 4.11 miliardë lekë.
Risjellim në vëmendje se, nga të dhënat zyrtare të Deklarimit të Pasurisë së Emiriana Sakos, qartësisht ka një rritje të jashtëzakonshme të pasurisë nga viti 2016, vit në të cilën ajo deklaron për herë të parë në cilësinë e Drejtores së Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Durrës.
Në pikën 7 të deklarimit të vitit 2023, bashkëshori i Emiriana Sakos, nga të ardhura minimale në vitin 2016, deklarimi i parë i saj, ku Landi Shahini deklaron në cilësinë e bashkëjetuesit, tashmë përvec të tjerash deklaron një llogari në vlerën 359.743 mijë euro si dhe një llogari prej 613.475 mijë euro, që sipas tij janë të ardhura të krijuara nga shitja e aseteve.
Pra, një pasuri mbi 1 milion euro. Një histori suksesi financiar që me siguri do të studiohet në manualet e menaxhimit publik. Ndërkohë, në deklaratën e vitit 2021, deklaron 18 pasuri të përfituara nga kontrata dhurimi (të cilat më gjasa janë shitur në 2023), sepse bujaria, siç dihet, shpesh paraprin prosperitetin.



