Dy korriku i vitit 1990 është dita që që shënoi fillimin e rënies të regjimit të egër diktatorial. Në një Shqipëri të varfër e të rrënuar ekonomikisht, mbi 5 mijë shqiptarë u futën në ambientet fillimisht të ambasadës gjermane dhe më pas të ambasadave të tjera duke u lejuar të largoheshin drejt Europës. Në studion e MCN Informacion, aktivisti Anti Tepelena kujtoi momentin kur së bashku me të vëllain u fut në Ambasadën Italiane.
Te Rruga e Durrësit, nja dy miq na thanë që është plot ambasada gjermane. Së bashku me vëllain donim të shkonim në Australi, kishim parë një dokumentar. Akoma regjimi ishte tej mase agresiv.
Kur hymë ne kishte konfuzion total. Nuk dihej numri i personave që ishin. Kishte mungesa ushqimore. Dy ditë nuk erdhi ushqim, pinim vetëm ujë. Nga një radio e vogël dëgjonim jashtë që ishte mbledhur Byroja Politike. Nuk kishim asnjë informacion çfarë ndodhte rreth nesh. Në një moment të caktuar humbëm shpresat se mund të zgjidhej situata. Ne sfiduam regjimin, kishim nevojë të iknim nga ai ferr. Ishte një moment dramatik, i mbushur me tensione. Herët a vonë ky regjim do binte.
Tepelena rrëfeu vështirësitë e integrimit pas vendosjes në Itali.
Muajt e parë nuk kanë qenë të vështirë. Pas 8 muajsh filluan sfidat tona. Erdhi një valë tjetër dhe ne pothuajse u braktisëm nga shteti italian. Falë një vendimi të Andreotit mund të lëviznim me tren dy muaj për të gjetur një punë. Integrimi nisi pas 2 vitesh falë miqve që kisha aty. Italishten pak e flisja dhe pengesa ishte edhe në aspektin e komunikimit. Por kur je i ri i përballon sfidat dhe nuk e ndien, ndryshe ishte puna e prindërve të mi që nuk kishin kaq mundësi. Për mua, Italia ishte pikë referimi në aspektin kulturor dhe njerëzor dhe kjo ma bëri më të lehtë integrimin.



