
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj, e ka kushtëzuar me praninë e mediave negocimin për presidentin e ri. Në përfundim të takimit të zhvilluar sot me të, homologu socialist, Taulant Balla, tha se i ka kërkuar opozitës një emër konkret në takimin e nesërm.
“Natyrshëm me parimin që të drejtën e propozimit ta kenë të gjitha palët. Mazhoranca të ketë të drejtë propozimi. Është gjë e mirë që të kemi komunikim. Sot ka pasur konferencë të kryetarëve dhe kam propozuar që të takohemi në orën 18:00. Ishim të dy të përpiktë. Ishin Spiropali, dhe Alibeaj me Pampurin. Alibeaj ka kërkuar që ky negocim të ishte me praninë e mediave. Kështu që nesër merrni masat dhe të jeni prezent për ta dëgjuar publikisht pozicionin. Unë pozicionin tim e kam thënë qartë. Nëse ka gatishmëri për t’u përfshirë në proces, për të pranuar diçka që të jetë themelore që të gjitha palët të propozojnë, atëherë mund të kemi ecuri në këtë proces. Duhet të zbresim tek emrat. Propozimi im për opozitën është që të vijnë me propozim konkret. A i ka opozita 20 deputetë për firma për kandidatë. Këto negociatat me shkresa nuk sjellin shumë produkt konkret.
A po zvarritet procesi?
Kryetar i PS-së Edi Rama nuk ka vendosur asnjë vijë të kuqe. Ka cituar nenin përkatës së Kushtetutës së vendit. I ka kujtuar që asnjë prej palëve nuk krijon dot krizë politike. Kushtetuta është përmirësuar. Ky proces kryhet përgjatë 3 raundeve të para. Në raundin e katërt, Kushtetuta i ka vendosur mekanizëm bllokues duke iu dhënë mazhorancës që të zgjedhë Presidentin.



