
Imunologët James P. Allison dhe Tasuku Honjo janë fituesit e Nobelit të Mjekësisë për vitin 2018.
Zbulimi i bërë nga dy laureatët "përbën një pikë referimi në luftën tonë kundër kancerit", njoftoi komiteti i çmimeve Nobel. Hulumtimet e kryera nga Allison në Universitetin e Teksasit në SHBA dhe Honjo në Universitetin e Kiotos në Japoni zbuluan se si sistemi imunitar i trupit mund të përdoret për të sulmuar qelizat e kancerit, duke çliruar qelizat imune.
Asambleja Nobel në Institutin Karolinska të Suedisë do t’u akordojë dy mjekëve çmimin prej 9 milionë krona suedeze (1 milion dollarë/ 872 000 euro).
Allison ka zbuluar se si një proteinë mund të funksionojë si frenim për sistemin imunitar dhe se si qelizat imune mund t’i luftojnë tumoret nëse kjo pengesë kalohet. Ndërkohë, nga ana e tij Honjo zbuloi një proteinë të dytë në qelizat imune, që vepron në të njëtën mënyrë, por nëpërmjet një mekanizmi tjetër.
Nobeli i Mjekësisë është çmimi i parë në listën e atyre që ndan Akademia Suedeze.
Çmimi i vitit të kaluar iu dha shkencëtarëve amerikanë Jeffrey C Hall, Michael Rosbash dhe Michael Young për zbulimin e gjeneve dhe proteinave që punojnë me orën e brendshme biologjike të trupit, duke ndikuar kështu në funksione të tilla si skemat e gjumit, presioni i gjakut dhe zakonet e të ngrënit.



