
Avokati Gentian Serjani përmes një lidhje “Skype” për MCN u shpreh se Elbasani ka mbetur pa prokurorë dhe gjyqtarë pas vettingut në drejtësi. Sipas tij vettingu i gjeti të papërgatitur, pasi në fillim të tij pritej që gati 30% e prokurorëve dhe gjyqtarëve të shkarkoheshin, por në fakt u shkarkuan gati 70% e tyre.
Avokati Serjani u shpreh i shqetësuar teksa tha se numri i ulët i prokurorëve dhe gjyqtarëve mund të sjellë cedim në cilësinë e dhënies së drejtësisë për qytetarët. Kjo për shkak se një prokuror tashmë duhet të gjykojë më shumë raste në vit për shkak të volumit.

“Nëse do flasim për vitin 2018, e dimë që me shumë vështirësi u miratua ligji i ri për magjistratët. Ç'do të thotë? Vite vonesë për çështjen e regjistrimit të magjistratëve të rinj në sistemin e magjistraturës. Përsa i përket pritshmërive që kishin ekspertët në fillimet e sistemit të drejtësisë apo të vetingut, mendohej që rreth 30% e prokurorëve dhe gjyqtarëve do të prekeshin, do të largoheshin nga sistemi i drejtësisë. Ne sot shohim që është rreth 70% e prokurorëve dhe gjykatësit që sot janë larguar nga sistemi i drejtësisë. Ndoshta prej fillimit nuk është menduar se si do të ishte kjo periudhë tranzicionale dhe si pasojë, sot kemi vonesa në proceset gjyqësore. Kemi drejtësi të dënuar dhe të mohuar për qytetarët.
Më vjen keq në disa raste, shoh që ka edhe mungesë të cilësisë së hetimeve apo edhe të shqyrtimit të çështjeve nga ana e prokurorëve për shkak të ngarkesës që kanë.
Po ti referohemi dosjeve në gjykatën e lartë bëhet fjalë për 10 mijë dosje. Në qytetin e Elbasanit sot një prokuror, nëse më parë do të hetonte 150 raste në vit, do të shohim që ai duhet të mbulojë mbi 350 raste në vit, që besoj janë shumë. Dhe që më pas, ajo që kam frikë është cedimi në cilësinë e dhënies së drejtësisë apo në kryerjen e hetimeve.”



