Këshilli politik për Reformën Zgjedhore mbajti sot një takim të thirrur nga bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri, për të diskutuar mbi marrëveshjen e arritur pak ditë më parë. Pas takimit Gjiknuri tha se të martën shpreson që drafti i përfunduar me të gjitha amendimet të jetë gati për në komisionin e Reformës Zgjedhore e më pas në Parlament.
“Dakortësuam pjesën më të madhe të amendimit, roli i medias dhe financimit të fushatës zgjedhore deri të hënën do kemi të plotë të gjitha amendimet ligjore përfshirë dhe të gjithë elementët që kemi rënë dakort dhe marrëveshjes.Të martën shpresoj të coj zyrtarisht draftin në komisionin e reformës zgjedhore e më pas të shkojë në Parlament.
KQZ s’ka ndonjë element surprizë, po diskutojmë mekanizma të fundit për procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve. Ekspertëve iu la detyrë që brenda të hënës ta përmbyllin paketën”, u shpreh Gjiknuri.

Nga ana tjetër deputetja e opozitës, Rudina Hajdari, deklaroi se tashmë çdo gjë është në dorën e ekspertëve. Hajdari në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore, tha se beteja e saj me këtë këshill ka përfunduar, por do të vijojë në Parlament për ta plotësuar reformën me elementë të tjerë siç janë listat e hapura dhe vota e emigrantëve.
“Këshilli Politik e ka përfunduar pjesën politike të marrëveshjes. Tani po flasim për gjëra që i kanë në dorë ekspertërt. Kemi rënë dakord për marrëveshjen që riktheu LSI dhe PD. Tani duhet ta kodifikojme. Beteja ime tani është në parlament ku do diskutojm gjerësisht për element që duhet ti shtohen reformës zgjedhore, pa ndryshuar marrëveshjen por duke shtuar disa elementë.
Ne do shkojmë duke propozuar element shtesë duke propozuar lista të hapura. Do propozojmë ndryshim sistemi, atë proporcional me lista të hapura. Do ngulim këmbë mbi propozimin e votës së diasporës.
Ata emigrantë që e kanë mbajtur Shqipërinë me remitanca ti jepet kjo e drejtë. Ne jemi të qartë për atë që duam. Tek administrata zgjedhore duhet të shohim mundësinë e numërimit elektronik. Beteja ime në këshillin politik ka mbaruar”, tha Hajdari.



